E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevil Dede zgjedh Elbasanin

Mbrojtësi tiranas rivishet verdheblu, duke qetësuar tifozët e shumtë elbasanas

E kishte premtuar Arben Laze, tani e bën realitet kryebashkiaku Qazim Sejdini. Nevil Dede më në fund është lojtar i skuadrës së Elbasanit dhe një lëvizje e tillë kuptohet që mund të cilësohet nga më të mëdhatë dhe më të bujshmet e kampionatit shqiptar. Futbollisti i njohur i kampionateve tona ndër vite dhe ish-mbrojtës i kombëtares, Nevil Dede, ka firmosur të hënën pas mesditës në prani të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, kontratën e re me verdheblutë, që e mban të lidhur Nevilin me këtë skuadër deri në fund të sezonit aktual. Laze pranonte një javë më parë se kishte kryer disa biseda me mbrojtësin Dede dhe në fakt gjithçka u vërtetua këtë të hënë, teksa atë që nuk mundi ta çojë deri në fund Arben Laze, e bëri kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, i cili konfirmon zyrtarizimin e kësaj marrëveshjeje, teksa shprehet: "Po, është e vërtetë që kemi mbyllur gjithçka me Nevil Deden. Ai ishte një ndër objektivat klubit tonë, gjë të cilën e patëm pohuar edhe më parë nëpërmjet presidentit Laze. Natyrisht, jemi të kënaqur për këtë lëvizje, sepse besojmë se Dede është njeriu i duhur nga ku mund të nisë ringritjen kjo skuadër. Pa diskutim që jemi të kënaqur edhe pse kemi risjellë në ekip një lojtar që ka kontribuar për këtë fanellë, duke u shpallur kampion. Në një moment të vështirë kjo është një dozë entuziazmi për të gjithë klubin dhe tifozët tanë. Nuk mund të flas për detaje më të hollësishme në lidhje me kontratën, por kuptohet që me dëshirën e palëve firmosëm një konratë që e lidh lojtarin me ne deri në fund të sezonit. Nëse Dede do të jetë i gatshëm, mund të qëndrojë sa më gjatë te ne." Nuk dihet ende shuma e cila duket se ka bindur Deden të rikthehet në Elbasan, por burime jozyrtare bëjnë të ditur se lojtari do të përfitojë një shumë që shkon deri në 30 mijë deri në qershor, pa harruar edhe bonueset nëse fitohet Kupa e Shqipërisë. Megjithatë, duket se rol të rëndësishëm në këtë operacion ka luajtur fakti se Dede ka marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e Elbasanit e në veçanti presidentin Laze, por edhe me dashamirës të tjerë të sportit në Elbasan, të cilët e kanë përdor madje edhe si një dozë krenarie këtë lëvizje të merkatos kundrejt situatave të fundit që janë krijuar te verdheblutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›