Prokurorët: Mbështesim ligjin për Prokurorinë
Prokurorët përshëndesin miratimin e ligjit
TIRANË- Ligji për Prokurorinë, i miratuar paraditen e djeshme në Kuvend, pas konsensusit të dy forcave kryesore politike, ka gjetur më në fund edhe konsensusin e vetë Prokurorisë. Disa orë pas miratimit të ligjit ka reaguar edhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate për mediat. Shoqata përshëndeti Kuvendin lidhur me miratimin e një prej kërkesave të saj për garantimin e të drejtave të prokurorëve. Edhe pse ata e kishin kundërshtuar në fillim këtë ligj, ndryshimet e fundit pas negociatave ndërmjet dy forcave kryesore politike, kanë bërë që të gjitha palët të jenë dakord. “Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë gjen rastin të falënderojë Kuvendin lidhur me miratimin sot (dje) në seancë plenare, të kërkesës që kishte të bënte me riformulimin e nenit 34 të ligjit aktual, “Për organizimin dhe funksionim e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Me këtë ndryshim, tashmë prokurorit i garantohet me ligj kthimi në detyrë, në rastet kur Gjykata çmon se largimi nga detyra ka qenë i pabazuar në ligj”,- thuhet në deklaratën e kësaj shoqate. Prokurorët e kishin kërkuar me ngulm këtë ndryshim në ligj dhe dje ia arritën qëllimit. Tashmë ata kanë mundësinë e apelimit të vendimit për heqjen e tyre nga detyra në Gjykatën e Lartë. "Ky ndryshim ligjor përbën arritjen e një standardi më të lartë në drejtim të qëndrueshmërisë në detyrë të prokurorëve dhe, për pasojë, në respektimin më të mirë të parimit të pavarësisë së Prokurorisë",- thuhet gjithashtu në këtë deklaratë. Shoqata e Prokurorëve deklaron njëherazi se edhe në të ardhmen do të vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar arritjen edhe të standardeve të tjera, me qëllim që prokurorët të ushtrojnë funksionin e tyre në zbatim vetëm të ligjit dhe pa u ndikuar nga interferenca, të çdo lloji dhe natyre qofshin.