E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në lokal, arrestohet Xherrardi

Kapiteni i Liverpulit kryesues ka përfunduar në polici, pas një zënke në një lokal të Sauthportit

Asi i skuadrës së Liverpulit, kapiteni Stivën Xherrard, është arrestuar dje, pas një zënke në një bar në qytetin e Sauthportit. Policia e Liverpulit ka hapur hetimet, në lidhje me incidentin. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për një zënkë në një klub nate, në orën 02.30 të mëngjesit, me orën e Anglisë. Një zëdhënës policie ka deklaruar: "Janë arrestuar gjashtë persona, si të dyshuar për sulmin në rrugën Lord. Katër meshkuj të moshave 33, 31, 29 dhe 19 vjeç, të cilët vinin nga zona e Hajtonit, një 28 vjeçar nga Formbi dhe një 18 vjeçar nga Lidhërlend janë nën arrest në polici. Një mashkull 34 vjeçar nga Sauthporti është dërguar në spital me dëmtime në fytyrë, dëmtime të cilat nuk përbëjnë rrezik për jetën".

Xherrardi kishte dalë së bashku me disa shokë për të festuar, pas fitores së thellë me rezultatin 5 1 kundër Njukasëllit në stadiumin St James' Park. Kapiteni i Liverpulit, autor i dy golave në këtë ndeshje, pas ndeshjes i kishte përgëzuar shokët e tij për fitoren dhe kishte thënë se Liverpuli i tanishëm ishte skuadra më e mirë gjatë karrierës së tij me këtë klub. Xherrard u bëri thirrje të gjithëve në Anfielddrejtues, trajnerë, staf teknik dhe tifozëqë të shijojnë kryesimin në Premier Ligë, pasi Liverpuli u shkëput më shumë nga Çelsi i vendit të dytë, falë kësaj fitoreje të bukur. Duke folur pas ndeshjes, kapiteni Xherrard ka thënë: "Mendoj se e meritojmë të festojmë. Nëse luajmë të qetë e të organizuar, ne do të shfaqim në fushë futbollin tonë më të mirë. Mendoj se është e rëndësishme për ne që ta ruajmë thjeshtësinë tonë, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë sa më shumë." Xherrardi u arrestua nga policia, pas një zënke në Lounge Inn, një restorant modern pranë kryqëzimit të rrugës Bold dhe Stenli. Ky restorant shndërrohet në një klub nate me muzikë në orët e vona të natës. Nga pronarët e lokalit në fjalë nuk është dhënë asnjë deklaratë për shtypin. Ky lokal, që ndodhet në këtë qytet të pasur bregdetar, është një destinacion i preferuar për futbollistët e pasur, të cilët shkojnë atje për t'u argëtuar. Një zëdhënës i klubit të Liverpulit ka thënë se klubi nuk do ta komentojë incidentin në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›