E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Shqiptarët shesin dhe blejnë më pak për nëntorin

Eksportet dhe importet shënuan rënie gjatë nëntorit, ndërsa deficiti tregtar arriti mbi 300 milionë dollarë

TIRANË- Gjatë muajit nëntor, Shqipëria ka pasur një aktivitet më të ulët ekonomik në krahasim me muajin paraardhës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në muajin nëntor, eksportet shqiptare kanë arritur në rreth 9 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 5 përqindësh në krahasim me muajin tetor dhe një ulje të lehtë prej 0.4 për qind në krahasim me muajin nëntor 2007. Por, rënia është vënë re gjatë këtij muaji edhe tek importet. Kështu, për nëntorin Shqipëria ka importuar 39 miliardë lekë mallra dhe shërbim, duke shënuar një ulje 8.6 për qind në krahasim me muajin e kaluar. Pavarësisht rënies së importeve me 8.6 për qind në krahasim me muajin paraardhës, deficiti në shkëmbimet tregtare vazhdon të jetë në shifra të larta, ku për këtë muaj arriti në 30 miliardë lekë ose më shumë se 300 milionë dollarë, rreth 8 % më shumë se gjatë nëntorit të vitit 2007. Mallrat e akcizës për këtë muaj zunë 10 për qind të shumës totale të importeve me një vlerë 3.9 miliardë lekë, ose 19% më pak se një muaj më parë. Në këtë grup, peshën kryesore e zënë nënproduktet e naftës, që zënë 66 për qind të totalit të mallrave të akcizës të importuara për muajin nëntor. Partnerët tregtarë kryesorë mbeten vendet e Bashkimit Europian, tregtia me të cilët, për muajin nëntor zuri 66.5 % të totalit të saj. Shqipëria vazhdon të ketë marrëdhëniet më të dendura tregtare me Italinë dhe Greqinë. Kështu, me fqinjin perëndimor eksportet shënojnë 60.7 për qind dhe importet 30.9 për qind. Për sa i përket Greqisë, në të vendi ynë eksporton 7 për qind të totalit të eksporteve dhe 13.2 për qind të importeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›