E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat vijnë me çmime të ulëta

Tregtarët ankohen se kërkesa për produktet ushqimore ka rënë ndjeshëm. Çmimet e disa produkteve në rënie

Kjo mund të konsiderohet hera e parë që çmimet e ushqimeve nuk pësojnë rritje për festat e fundvitit

TIRANË- Ndryshe nga vitet e kaluara, ku në prag të festave të fundvitit tregjet e pakicës reflektonin një rritje të konsiderueshme të çmimeve, këtë vit vërehen luhatje në nivele shumë më të ulëta. Nga një vëzhgim për një periudhe disaditore në disa tregje të shitjes me pakicë në Tiranë, çmimet e shumicës së mallrave që përbëjnë tavolinën e fundvitit të çdo shqiptari, në mos fare, kanë pësuar një rritje të papërfillshme në krahasim me atë ç’ka ndodhte vitet e shkuara. Kështu, në datën 16 dhjetor, çmimi i 1 kg portokall është luhatur në shifrat 90 deri 100 lekë, duke ndenjur në të njëjtat tregues deri në ditën e djeshme. E njëjta dukuri haset edhe për frutat e tjera, të cilat në raste të veçanta kanë pësuar edhe ulje si pasojë e rritjes së stokut në magazinat e shitjes me shumicë. Ndërsa çmimi i domates ka më se tri javë që është fiksuar në treguesit 100 deri 110 lekë. Për sa i përket mbretit të tavolinës së Vitit të Ri, gjelit të detit, çmimi i tij ka shënuar ulje në krahasim me atë ç’ka tregtohej në mes të muajit dhjetor. Konkretisht, në datën 16 dhjetor, një kilogram i tij shitej më 750 deri 800 lekë, ndërkohë që në ditët e sotme mund ta blesh edhe me 650 lekë. “Vitin e kaluar, deri në këtë periudhë kisha shitur mbi 40 krerë, ndërkohë që deri më sot, megjithëse kam dalë çdo ditë në treg, nuk kam hequr as gjysmën e këtyre”, - tregon Astriti, duke drejtuar gishtin drejt shpendëve të zhgërryer në baltën që karakterizon këtë treg.

Më shumë se me ndërgjegjësimin e tregtarëve dhe aplikimit të traditës perëndimore, ku, për festa vërehet një ulje e çmimeve, këtë fenomen, ndryshe nga praktika e viteve të shkuara, specialistët e ekonomisë e lidhin me uljen e dërgesave të emigrantëve dhe me frikën e konsumatorëve për të shpenzuar në këtë periudhë paqartësie për ekonomitë e shteteve përreth Shqipërisë. Nga ana tjetër, stabilitetin që po karakterizon tregjet e mallrave të konsumit të përditshëm, shitësit me pakicë e lidhin me rritjen e stokut nëpër magazina dhe me shtimin e subjekteve që tregtojnë me pakicë. “Shumë persona, marrjen e një tezge dhe daljen në treg për të shitur e shohin si mënyrën më të lehtë për të përballuar situatën e vështirë ekonomike. Në një magazinë të shitjes më shumicë, mund të shohësh me dhjetëra persona, të cilët blejnë sasi të vogla dhe dalin e shesin në pika të ndryshme të qytetit. Tashmë ka më shumë tregtarë se sa blerës”, - shprehet Violeta, edhe ajo shitëse pakice në një treg të Tiranës. Të mësuar me shitjet në sasi të mëdha dhe me çmime të larta gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit, tregtarët kanë porositur sasi të mëdha të frutave dhe perimeve, të cilat me afrimin e datës 31 rrezikojnë t’u mbesin pa u shitur. Vitet e shkuara, Ministria e Financave paralajmëronte me sanksione tregtarët për të shmangur rritjen e çmimeve në mënyrë artificiale, ndërsa këtë vit paralajmërimi konsiderohet i panevojshëm, pasi rritja sadopak e çmimeve do të reflektohej menjëherë në uljen e mëtejshme të numrit të blerësve. Duket se për të stimuluar blerjen, në këtë fundviti nuk kanë shërbyer as dërgesat e emigrantëve, të cilat për tremujorin e parë të këtij viti shënuan një rënie prej 13 përqindësh dhe as shpërblimet që qeveria u dha pensionistëve dhe buxhetorëve. Vetëm disa ditë më parë, Parlamenti miratoi injektimin në tregje brenda këtij viti nëpërmjet rialokimit të buxhetit edhe të 12 miliardë lekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›