E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, ankohen qytetarët: Policia po na ndot!

PARKIMET/ Mjete të policisë qëndrojnë pranë koshave duke penguar heqjen e plehrave nga mjetet përkatëse. Kryekomisari shprehet se punonjësit kanë të drejtë të parkojnë pranë institucionit


Banorë të pallateve në afërsi të Komisariatit të Policisë Sarandë janë shprehur të acaruar dje për shkak se një furgon policie i parkuar keq, dhe jo në vendin e duhur, është bërë shkak për mosheqjen e plehrave.


Furgoni ka bllokuar tërësisht punën e punëtorëve të pastrimit, duke qëndruar prej ditësh i parkuar përballë kazanëve dhe ankesave të banorëve, askush nuk iu është përgjigjur.


Ose, siç thonë banorët, u kanë thënë se furgoni është i policisë kufitare, si për të larguar përgjegjësinë. Po ashtu, disa metra më tutje ndodhet dhe një furgon tjetër policie në tako, prej një viti në këtë gjendje, e askush nuk vjen ta heqë, ndërsa banorët thonë se rregullisht bëhen ankesa në komisariatin ngjitur.


Makinat në tako janë, në fakt, një tjetër problem tjetër për banorët, pasi rrotull rrethimit të Komisariatit të Policisë janë disa të tilla që qëndrojnë prej vitesh në atë gjendje, "mu në hundën" e Policisë.


Banorët shprehen të çuditur që askush nuk merr mundimin që t`i heqë, ndërkohë që ato ndodhen pikërisht në një rrugë me shumë probleme në qarkullimin e automjeteve. Bazuar në këtë situatë paradoksale në afërsi të Komisariatit të Policisë Sarandë, një prej banorëve të thotë se kjo lloj policie e do një polic, ama jo si veten.


Parkimet


Për banorët e rrugës së Komisariatit të lagjes nr. 2 të Sarandës, institucioni i bluve është shndërruar në makth sa u përket parkimeve.


Një banore tha se nuk ka mundur të furnizojë dyqanin e saj prej ditësh, sepse nuk ka polic që nga më i madhi e deri te më i vogli që nuk e ka parkuar automjetin e tij kuturu, duke u bërë pengesë për mbarëvajtjen e tregtisë në atë rrugë e në përgjithësi të aktiviteteve të tjera e jetës normale të qytetarëve të lagjes.


Duhet të jetë policia, thonë këta të fundit, që ta normalizojë këtë situatë, të paktën duke mos e anormalizuar vetë. Për këtë, argument të fortë kanë pikërisht furgonin e parkuar para kazanëve të plehrave.


Reagimi


Ndërkohë, shefi i Komisariatit të Sarandës, kryekomisar Besim Palamani, thotë për "Shekullin" se nuk ka asnjë ankesë të ardhur në adresë të bluve që të mos jetë trajtuar apo marrë në konsideratë. Sipas Palamanit, çështja është se në godinën e Komisariatit ndodhen dhe Policia e Burgjeve, ajo Kufitare dhe ajo e Rendit.


Ai u shpreh i sigurt se nuk janë automjetet e rendit ato që kanë sjellë probleme për banorët me parkimin e tyre të gabuar. Sa për ankesën e banorëve lidhur me parkimet e automjeteve të shumta të policisë apo të punonjësve të saj, kjo vjen për faktin e thjeshtë se nuk kanë ku parkojnë tjetër.


"Ashtu siç banorët do të parkojnë automjetet e tyre afër banesave apo pallateve ku jetojnë, ashtu dhe punonjësit e policisë do parkojnë automjetet afër institucionit",- u shpreh kryekomisar Palamani.


Sipas tij, janë rrethanat e atilla, ku nuk mund të fajësohen as punonjësit, por as banorët për mënyrën e vendin e parkimit. Edhe njëherë, shefi i Komisariatit të Sarandës tha se institucioni që ai drejton, është në dispozicion të çdo qytetari për ankesat që vijnë.


Edhe për zhurmat që mund të vijnë nga ndonjë lokal nate apo qoftë dhe nga ndonjë kafe-internet, ai shprehu gatishmërinë që i jep posti e detyra, për të ndërhyrë në favor te jetës normale të qytetarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›