Berisha: Opozita bën betejë me mullinjtë e erës
Kryeministri Sali Berisha reagoi dje pas protestave në të gjithë vendin që ka ndërmarrë opozita. Duke folur nga Maminasi, kreu i Qeverisë tha se “rruga e Shqipërisë për në Evropë është absolutisht e pandalshme. Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t’i lexojnë tek ‘Don Kishoti’ i Servantesit. Asgjë nuk mund të pengojë ecjen drejt atij objektivi madhor që kanë shqiptarët: integrimi në Bashkimin Evropian”. Kreu i ekzekutivit ishte dje në Maminas të Durrësit ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së Mbyllur të Emigrantëve të Parregullt. Vlera e ndërtimit të saj arrin në rreth 1.4 milionë euro, me financues kryesor Bashkimin Evropian dhe Qeverinë shqiptare. “Kjo qendër përbën një nga nyejt jashtëzakonisht të rëndësishme në të gjitha hallkat e trajtimit të problematikës së sigurisë së kufijve dhe të kontrollit të tyre”, tha Berisha.