E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita më së fundi, po i kthehet realitetit politik

16-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri shqiptar takohet me Zëvëndëspresidentin e Parlamentit të Norvegjisë, komenton edhe paktin me opozitën

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Konferencën e Kryetarëve për nisjen e reformave të rëndësishme që kërkohen për rrugën integruese të vendit, atë zgjedhore, parlamentare dhe konsensusin për ligjet me shumicë të cilësuar. Deklarata është bërë gjatë takimit që Berisha zhvilloi me Zëvendëspresidentin e Parlamentit të Norvegjisë, Per-Kristian Foss, në kuadër të vizitës së tij në këtë vend.
“Pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik dhe shprehu shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit. Integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma”, tha kreu i Qeverisë.
Pasi e falënderoi Per-Kristian Foss për pritjen, Kryeministri theksoi se Parlamenti ka një rëndësi themelore në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe se vizita e tij kish si qëllim çuarjen më tej të marrëdhënieve bilaterale. Kryeministri i çmoi shumë të mira marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe shprehu falënderimet për mbështetjen e Norvegjisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha u ndal te investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme, ku Statkraft ka një rol primar në projektin hidroenergjetik të kaskadës së Devollit, aktualisht ndër më të mëdhenjtë në Europë, si dhe në projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, ku një kompani tjetër norvegjeze Statoil është ndër aksionerët kryesorë të projektit.
Nga ana e tij, Zëvëndëspresidenti i Parlamentit, Per-Kristian Foss i vlerësoi kompanitë norvegjeze të përfshira në projekte energjetike në Shqipëri si kompani lider në sektorët e tyre. Gjithashtu, Per-Kristian Foss shprehu vlerësimin për programin e investimeve në infrastrukturë, kryesisht ato rrugore që qeveria shqiptare po zbaton. Ai theksoi se Shqipëria, me investimet në rrugë, është diskutuar si model edhe në parlamentin norvegjez.
Gjithashtu në takim u fol për mundësinë për investime dhe bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve, ku përveç sektorit energjetik u tërhoq vëmendja tek turizmi dhe teknologjia e informacionit.
Në përfundim të takimit, Per-Kristian Foss e shoqëroi Kryeministrin në një vizitë në ambientet e Parlamentit dhe në sallën e seancave plenare të tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›