Kuvendi miraton shkarkimin e Spahiut, Alibeaj: Shkeli Kushtetutën

Enkelejd Alibeaj
Kuvendi ka miratuar me 64 vota pro dhe 56 kundër raportin e Komisionit Hetimor për verifikimin e veprimtarisë së nënkryetarit të Lartë të Këshillit të Drejtësisë. Në konkluzionet e raportit kërkohet dërgimi i konkluzioneve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Enkelejd Alibeaj, kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka paraqitur raportin në Kuvend. Në përfundimet e raportit është vlerësuar se Kreshnik Spahiu gjatë vitit 2011 kur është angazhuar në Aleancën Kuqezi ka shkelur Kushtetutën.
Sipas Alibeajt, Spahiu ka devijuar nga funksioni Kushtetuese duke e zëvendësuar me veprimet politike si dhe ka shpërdoruar fondet financiare të KLD-së.
Alibeaj tha se Spahiu ka dëmtuar imazhin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, ka përdorur kompetencat e pozicionit kushtetues për qëllime politike si dhe ka dëmtuar procesin e Censusit.
Zv.kryetari i KLD-së në të gjithë këtë luftë politike ka përdorur mjete jodemokratike. Ka përdorur petkun e zyrtarit shtetëror për të injektuar në publik një përmbajte të rremë të ligjit. Ky funksionar ka shpërdoruar postin, tha Alibeaj.
Ai akuzoi Spahiun se ka shpenzuar buxhetin e KLD-së për qëllime të tij personale duke abuzuar me menaxhimin administrativ dhe financiar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ka kryer 15 udhëtime jashtë shtetit. Ka shpenzuar 65% të buxhetit të KLD-së. Nga dokumentet del se ka parregullsi pasi në asnjë nga udhëtimet, KLD nuk është njoftuar paraprakisht dhe nuk i ka miratuar ato. Largimet afatgjate kanë qenë pjesë e axhendës së tij politike, u shpreh Alibeaj duke shtuar se gjatë këtyre udhëtimeve Spahiu ka qëndruar 26 ditë kalendarik jashtë territorit të vendit.
Lidhur me dorëheqjen e Spahiut, Alibeja u shpreh se nuk është respektuar procedura formale si dhe shtoi se edhe në rastin kur ajo është e rregullt nënkryetari i KLD-së qëndron në detyrë deri në zëvendësim. Në këtë mënyrë Alibeaj tha se dorëheqjen e Spahiut është bërë për të shmangur llogaridhënien por në fakt ai është ende nënkryetar i KLD-së. Akti i dorëheqjes e detyron Spahiu që të mbajë postin deri në zëvendësim. Vetëm përfundimi i mandatit e ndërpret funksionin e tij, tha Alibeaj në Kuvend.
Ai i kërkoi Kuvendit që të miratojë raportin dhe të vendosë ndërprerjen e qëndrimit në detyrë të Spahiut. Gjithashtu kërkoi që raporti ti dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit për të nisur hetimet. /F.Stafa/
* * *
Kanë nisur incidentet mes qeverisë dhe kuqezinjve. Menjëherë sapo në media është përhapur deklarata e Spahiut për takimin Berisha-Samaras, Aleancës Kuqezi i është komunikuar nga policia e Lezhës se i është refuzuar leja për një manifestim të planifikuar në këtë qytet me rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në 2 mars. Zyra e Aleances në Tiranë konfirmon refuzimin dhe thotë se për tubimin festiv ishte bërë kërkesë zyrtare në polici dhe në bashki.
Ky refuzim është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe jemi të bindur se bëhet me urdhër të Berishës. Nuk mund të na refuzohet e drejta e tubimeve paqësore. Nuk tërhiqemi nga kremtimi i ditës së përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, ftojmë qytetarët lezhjanë të bashkohen me ne thuhet në një deklaratë të sapo shpërndarë në media nga Aleanca Kuqezi.
Burime lokale nga Lezha bën të ditur ndërkohë për Shekullin se kreu i qeverisë Berisha ka planifikuar aktivitet në Lezhë në të njëjtën orë dhe në të njëjtën ditë me tubimin e Aleancës.
Spahiu: Të zbardhet proces-verbali i takimit Berisha-Samaras për kufirin detar
Kreu i Aleancës Kuq e Zi i kërkoi sot zbardhejn e procesverbalit të bisedës mes Berishës dhe kreut të Partisë greke Demokracia e Re, Antonis Samaras. Në një deklaratë për mediat, Spahiu kërkon zbardhjen përmes një interpelance të takimit të datës 12 dhjetor 2011 dhe çfarë premtimesh janë bërë në këmbim të kufirit detar.
Sot Aleanca KuqeZi ka një apel për Kuvendin e Shqipërisë, apel që Kuvendi dhe deputetët e tij të thërrasin në interpelancë kryeministrin e vendit Sali Berisha. Është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të zbardhë përpara opinionit publik, përpara shqiptarëve detajet e takimit të kreut të ekzekutivit shqiptar me kreun e Neodemokracias së Greqisë Antoni Samaras”, thuhet në deklaratë. Në deklaratën e tij, Spahiu i referohet takimit Berisha-Samaras të zhvilluar gjatë Kongresit të Partisë Popullore Evropiane.
Spahiu përsëriti se komisioni i ngritur për hetimin e veprimtarisë së tij në krye të KLD-së është një porosi e Athinës, e cila është realizuar nga Berisha. Berisha është i kapur nga nacionalistët grekë, tha Spahiu dhe shtoi se si Thaçi, si Berisha me qëndrimet e tyre kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, janë dëshmuar antishqiptarë. “Ka ardhur koha që t’i largojmë nga shpina qeveritë antishqiptare në Tiranë e Prishtinë, – theksoi Spahiu. / G. Ndoja