E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Katar, takohet me komunitetin shqiptar

Në ditën e parë të vizitës në Doha për të marrë pjesë në punimet e Forumit të 4-t të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi një takim të ngrohtë e të përzemërt me përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Katar. Në takimin ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Katar, Ridi Kurtezi, presidenti u njoh me veprimtarinë e tyre në këtë vend, duke vlerësuar faktin që vetë prania e shqiptarëve të profesioneve të kualifikuara dhe puna e tyre cilësore shërbejnë për të konsoliduar urat e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe për rritjen e imazhit të shqiptarëve anembanë botës. Presidenti Topi shprehu besimin që kontributi i bashkatdhetarëve tanë të mirintegruar në këtë vend që po modernizohet me shpejtësi marramendëse, do të jetë i dukshëm dhe i prekshëm edhe për të ardhmen e Shqipërisë, duke qenë se ata kanë mundësinë të sjellin ekspertizën e marrë në Katar, duke kontribuar kështu në përparimin e mëtejshëm të vendit tonë në fusha të tilla si mjekësia, sigurimet shoqërore, industria e kompanive ajrore etj. Përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare në Katar, pasi çmuan lart këtë takim vlerësuan interesimin e sinqertë e të drejtpërdrejtë të presidentit Topi për t’u njohur personalisht dhe më nga afër me veprimtarinë dhe sukseset e bashkatdhetarëve tanë kudo ku ata jetojnë e punojnë, duke i bërë të ndihen më mirë nga kujdesi dhe vëmendja e vazhdueshme personale dhe institucionale që tregon kreu i shtetit shqiptar. Topi ndodhet në krye të një delegacioni zyrtar që po zhvillon një vizitë në shtetin e Katarit, ku me ftesë të Emirit të këtij vendi, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, ku do të marrë pjesë në Forumin e 4-t të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në kryeqytetin Doha, në datat 11-13 dhjetor 2011. Në Forumin e 4-t të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara pritet të jenë të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kryetarë shtetesh, qeverish, ministra, anëtarë parlamentesh, mendimtarë dhe akademikë. Ky Forum synon të ideojë dhe të krijojë iniciativa që do të kontribuojnë për të forcuar mirëkuptimin mes popujve, të mbështesin dialogun mes civilizimeve në mënyrë që të përkrahë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të arritur paqen, sigurinë dhe partneritetin botëror në zhvillim. Axhenda e presidentit Topi parashikon që, në kuadër të pjesëmarrjes në Forum, kryetari i shtetit shqiptar të zhvillojë takime me homologë dhe përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse në këtë veprimtari. Në kuadër të punimeve të Forumit të 4-t të Aleancës së Civilizimeve, në seancën plenare me temë “Si ndikon diversiteti kulturor përkundrejt zhvillimit”, Presidenti i Republikës do të mbajë dhe një fjalë përshëndetëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›