E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Opozita te bashkepunoje. Askush nuk pengon dot reformat

Axhenda e qeverisë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian nuk do të pengohet nga askush. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha që në të njëjtën kohë ftoi  opozitën të bashkëpunojë në përmbushjen e kësaj axhende, duke vënë në dukje  se në arritjet që u shënuan gjatë 2010, ajo që i mbeti Partisë Socialiste ishte kutia.

"Përpjekje e gjithëanshme për të përmbushur detyrimet tona për procesin e integrimit europian mbetet kjo objektivi më madhor i yni. Ne do bëjmë gjithcka që varet nga qeveria. Natyrisht ftojmë opozitën të bashkëpunojë me këtë axhendë mjaft të rëndësishme. Është në tagrin e saj të marr vendimet që do. Axhenda jonë është axhende e jona dhe kjo axhendë nuk mund të pengohet nga asgjë. Imagjinoni ju sikur kjo axhendë të ishte futur në kuti. Shqiptarëve u mbetet vizat, u mbetën rrogat dhe pensionet, u mbetet një sistem i ndryshuar arsimor, një hop i madh cilësor në fushën e teknologjisë dixhitale, u mbeten arritje madhore në ekonomi, financa dhe të gjitha fushat. Dikujt tjetër le ti mbetet kutia. Unë i kam dalë borxhit, dhe i dal përsëri. Jam i gatshëm të bashkëpunoj po përndryshe axhenda ime është intensive dhe jam i papërmbajtur për zbatimin e saj", tha kryeministri Sali Berisha.

Në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, kryeministri i premtoi qytetarëve transparencë në mënyrën si do të zbatohet buxheti 2011. "Ne do tia bëjmë të qarta shqiptarëve cfarë ne do të bëjmë këtë vit me buxhetin më të madh në historinë e tyre. Do të dalim para tyre me objektivat më të qarta, do ti informojmë ata dhe do i japim atyre mundësi të kontrollojë një për një zbatimin e tyre", tha Berisha.

Kreu i ekzekutivit theksoi se do të vijojnë reformat në arsim, shëndetësi, drejtësi, turizëm dhe kulturë, ndërkohë që bëri të njohur se në 2012 nuk do të ketë familje në mjerim. "Së shpejti një sistem i ri i mbrojtjes sociale do të vendoset në vend, sistem i cili synon që viti 2012 të mos ketë asnjë familje shqiptare në mjerim", tha ai. Kreu i qeverisë theksoi se 2010, ishte një vit i suksesshëm ekonomik, me mbi një milard dollarë investime, me realizime në dogana dhe tatime me rritje të eksporteve. Sipas tij nga gjithe kjo mbeten të lënduar ata që lancuan krizën dy herë në javë. 

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›