E Shtunë, 31 Tetor 2026

Permbytjet ne Shkoder gati perllogaritja e demeve

Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës do të fillojë shumë shpejt në zonat ku uji është tërhequr nga grupet e përfaqësuesve të ministrive dhe pushtetit vendor.Zv.kryeministri Ilir Meta në mbledhjen e komitetit nderministror te emergjencave civile të zhvilluar në Shkodër ka vënë theksin edhe në rëndsësinë e riparimit të veprave të dëmtuara kryesit të ujësjellësave.

"Janë marr disa vendime të rëndësishme për të rehabilituar të gjithë ujësjellësat e fshatrave. Është diskutuar lidhur edhe me vendimin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja dhe qeveria shumë shpejt do të miratojë vendimin përkatës për procedurat që do të ndiqen të cilat do të jenë mjaft transparente", tha Ilir Meta, ministër i METE.

Ndërsa Ministri i Bujqësisë Genc Ruli ka inspektuar argjinaturat e dëmtuara në komunën e DDajcit ku ka garantuar se qeveria do të investojë 20 deri ne 25 milione euro per te riparuar argjinaturat dhe pjesen tjeter te infrastruktures qe u demtuan nga permbytjet.

"Së pari, të mbyllen carjet, të lartësohen argjinaturat. Në të njëjtën kohë paralelisht me të ne po ndërmarrim dhe një studim të madh, ku pa dyshim do të merren kompani të specializuara nga bota dhe do të përcaktojnë se kush do të jenë veprat mbrojtëse që do të kryejë shteti në vitet në vazhdim. Gjithë viti 2011 do të jetë viti i punës për rehabilitimin e argjinaturave dhe të gjitha veprave mbrojtëse të zonës së NënShkodrës", u shpreh Genc Ruli, Ministër i Bujqësisë.

Si zëvendëskryenminstri Meta ashtu edhe ministri Ruli kanë theksuar rëndësinë që ka furnizimi i pandërprerë i banorëve në zonat e dëmtuara nga përmbytjet me ushqime por edhe me baze ushqimore per bagetite duke qene se te ardhurat kryesore te tyre jane nga blegtoria.

Bruna Gjoka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›