Berisha: Opozita të bashkëpunojë për realizimin e reformave, Rama e sheh konsensusin si bllokim

“Modeli i zgjedhur nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit arriti t’i qëndrojë krizës multidimensionale që pllakosi mbarë Evropën”. Kështu u shpreh sot kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të Partisë Demokratike. Njëkohësisht duke nxjerrë në pah këto zhvillime e arritje të qeverisjes së djathtë, kreu i ekzekutivit bëri me dije që “vendimi për rritjen e rrogave e pensioneve pas të mërkurës që vjen”.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që të bashkëpunojë për realizimin e reformave.
“I bëj thirrje zotit Edi Rama, të vendosim interesat europiane të shqiptarëve si përparësi të çdo përparësie. Nuk është konsensusi për t’u përdor për bllokim. Është proces në të cilin palët duhet të bëjë lëshime. Kemi punuar muaj të tërë në reformën zgjedhore, e kemi sjellë pothuajse në përfundim të plotë. Është bërë një punë serioze. Nuk duhet që në momentet e fundit të përdoret fuqia politike e drejtuesit për të bllokuar procesin”, vlerësoi Berisha.
Njëkohësisht, duke u përqendruar në këtë pikë, Kryeministri argumentoi më tej qëndrimin e tij.
“Pse nuk u bllokua tre, 2, një muaj më parë. Pse ekspertët e dy grupeve arritën dakortësinë në të gjitha çështjet? Sepse ne pranuam çdo propozim të tyre. Tani si e ka konsesuin ky? 100% për vete asgjë për kundërshtarin. Gjithçka ose asgjë. Nëse thua unë të gjitha e ti bërrylin, atëherë t’i nuk je për konsensus. Unë i bëj thirrje të përparësojmë interesat europiane të qytetarëve shqiptarë, të përfundojmë reformën zgjedhore, duke lënë mënjanë praktikat e kokës së turkut. Koka e turkut na u bë ne helmi në tepsi që servirte diktatura çdo 6 muaj çdo vit për të nakatosur shpirtrat e njerëzve. Politika nuk bëhet me koka turku”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha i ofroi kundërshtarit të tij që të zgjedhë vetë ai se me cilën reformë do të nisë më parë.
“Të fillojmë më cilën të dojë. Të fillojmë me imunitetin që të mos tregojë që është i vetmi opozitar në planet që e do qeverinë me imunitet. Të ngrihet mbi këshillin e miliarderëve. Ata janë 15, por qindramijëra socialistë shqiptare nuk duan imunitet për askënd. Muri i vërtetë për heqjen e imunitetit është këshilli i miliarderëve. Koha është të finalizojmë reformat në të cilat PD ka lëshuar shumë”, deklaroi Kryeministri.