E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dekretet”, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Bamir Topin

18-06-2012 / Gazeta 55

Në interpretimin që Gjykata Kushtetuese i bëri më parë çështjes së propozimeve të dekreteve për anëtarë në dy gjykatat më të larta në vend, përcaktoi si detyruese që përzgjedhja e emrave të bëhet me konsultim mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit

Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 12 prill të këtij viti, pretendimet e presidentit në detyrë, Bamir Topi në lidhje me dekretet për emërimin e anëtarëve të kësaj gjykate. 6 anëtarë të organit të lartë kushtetues votuan kundër pretendimeve të kreut të shtetit, kurse vetëm tre anëtarë kanë votuar “pro” tij.
Subjekti i çështjes ishte rrëzimi një ankimimit të kreut të shtetit në Gjykatën Kushtetuese kundër Kuvendit lidhur me bllokimin e dekreteve të tij për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u kishte mbaruar mandati. Presidenti i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetueses të zgjidhë konfliktin e kompetencave ndërmjet institucionit të Presidentit dhe atij të Kuvendit dhe për pasojë shfuqizimin e një vendimi të Kuvendit të qershorit të vitit të kaluar, i cili pezulloi deri në 2013 procesin e ripërtëritjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Topi pretendonte se ky vendim i Kuvendit ka krijuar përplasje kompetencash, por vendimi i 12 prillit i Kushtetueses rrëzon këtë pretendim dhe ligjëron vendimin e qershorit të një viti më parë të Kuvendit të Shqipërisë, i cili rrëzoi dekretet e Topit për mungesë konsultimesh me parlamentin.
Topi pretendoi që interpretimi i bërë nga Kuvendi ishte në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2001 duke kërkuar që Kuvendi të rregullojë me ligj çështjen e ripërtëritjes së mandateve pasi sipas Presidentit, Kuvendi nuk mund të vendosë afat apo shtyrje të mandatit deri në prill 2013. Kuvendi ose i rrëzon, ose i miraton dekretet, pretendonin përfaqësuesit ligjorë të Presidencës. Konflikti Presidencë-Kuvend lindi kur parlamenti në 23 qershor të vitit të kaluar i ktheu mbrapsht Presidentit 3 dekrete për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. E njëjta situatë i takon edhe dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Pasi i ktheu tri propozimet për në Gjykatën Kushtetuese, mazhoranca rrëzoi dhe dekretin e fundit të kreut të shtetit, atë të Artan Zenelit të propozuar për anëtar të Gjykatës së Lartë. Shkaku ishte mosrespektimi nga ana e institucionit të Presidentit të detyrimit që përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’u konsultuar paraprakisht me institucionin e Kuvendit.
Në interpretimin që Gjykata Kushtetuese i bëri më parë çështjes së propozimeve të dekreteve për anëtarë në dy gjykatat më të larta në vend, përcaktoi si detyruese që përzgjedhja e emrave të bëhet me konsultim mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit, çka realisht nga Presidenti Bamir Topi nuk rezultoi asnjëherë e zbatuar.
Procedurat e ndjekura nga presidenti në detyrë u cilësuan tërësisht në shkelje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili imponon konsultimet e institucionet të Presidencës me Kuvendin dhe në këtë drejtim, vendimi përfundimtar i Kuvendit ishte rrëzimi i dekreteve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›