Berisha: “Opozita të bëhet pjesë e reformave integruese, nëpërmjet alternativave”
Kryeministri Berisha vlerëson deklaratën e europarlamentarëve dhe fton PS të marrë pjesë në miratimin e ligjeve, pasi mazhoranca i ka dhënë të gjitha të drejtat rreth çështjeve të zgjedhjeve, duke ia hequr këto të drejta vetes
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë seancës plenare të Kuvendit se një opozitë ka në traditën e saj politike bashkëpunimin me shumicën parlamentare, për reformat me qëllim realizimin e aspiratave të integrimit evropian.
Gjatë minutave të debatit të lirë, kreu i qeverisë i bëri thirrje qeverisë që të mos i shmanget proceseve të integrimit, por të kontribuojë për detyrimet që ka ndaj votuesve dhe qytetarëve shqiptarë.
Fillimisht në fjalën e tij, Berisha përshëndeti deklaratën e dy përfaqësuesve të lartë të Parlamentit Evropian, Daul dhe Schulz, për situatën politike në Shqipëri, liberalizimin e vizave dhe transparencë e zgjedhjeve. Berisha tha se dokumentet e ndërkombëtarëve kërkojnë transparencë në respekt të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, qëndrim të cilin e ka dhe mazhoranca. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se tendencat e socialistëve për transparencë në kundërshtim me Kushtetutën ka vetëm një qëllim “të mos merret pjesë në zgjedhjet lokale dhe të dëmtohet procesi i liberalizmit dhe integrimit europian të vendit”.
“I bëj thirrje opozitës të shtrojë alternativat dhe mos tu shmanget proceseve integruese, por së bashku me mazhorancën t’u bashkohet traditës për diskutim e miratim të ligjeve dhe reformave. Opozita duhet ta bëjë këtë pasi, mazhoranca i ka dhënë të gjitha të drejtat rreth çështjeve të zgjedhjeve duke ia hequr këto të drejta vetes”, tha kryeministri.
Në këtë drejtim, shefi i ekzekutivit kujtoi se opozita duhet t’i rikthehet traditës më të mirë të bashkëpunimit parlamentar.
“Garantoj opozitën se në këtë traditë dhe praktikë do ketë të gjithë peshën dhe rolin e saj për vendin. Lëshimet që mazhoranca i ka bërë opozitës për zgjidhjen e situatës politike, e ka bërë në një xhest respekti ndaj saj”, shtoi me tej Berisha.
Në këtë kontekst Berisha kërkoi që opozita të bashkëpunojë për miratimin e ligjit “Për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë”.
Duke u ndalur në problemin e zgjedhjeve, Berisha i tha se i ka krijuar opozitës të gjitha mundësitë, gjithmonë siç tha ai, në respektin që mazhoranca ka ndaj opozitës.
“Do dal shkurtimisht tek problemi i zgjedhjeve. Ju garantoj ju se këto në mënyrën me absolute e kemi bërë vetëm në respekt ndaj jush, sepse ju dhe secili prej jush ma gjeni se ku është shkruar që shumica në votim të bëhet pakicë në komisionin hetimor parlamentar, por unë e kam bërë këtë në respektin ndaj jush. Ku është shkruar që shumica në kundërshtim me rregullat bëri që juve t’ju njihet e drejta ekskluzive për të hartuar kodin e ri zgjedhor dhe këtë e kemi bërë për respektin ndaj jush”, tha më tej kryeministri.
Më tej, Berisha në fjalën e tij u përqendrua edhe në situatën ekonomike, duke vënë në dukje se Shqipëria ka treguesit më pozitivë në listën e vendeve me ekonomi në rritje dhe shtoi se Kombet e Bashkuara e kanë renditur atë në krye të listës të vendeve që luftojnë korrupsionin, nisur nga reforma e prokurimeve elektronike.
Ndërkaq nga ana tjetër, në fjalën e tij kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi tha se duhej të jepej në seancë nga mazhoranca lajmi për gjetjen e kompromisit për zgjidhjen, sipas tij, të krizës politike në përgjigje edhe të apeleve ndërkombëtare.
Ruçi tha se opozita qëndron në idenë “se aspirata e shqiptarëve për liberalizimin e vizave nuk mund të kushtëzohet nga situata politike”.
Më tej, kreu i Grupit Parlamentar socialist dha opinionin e grupit të tij, për zhvillimet ekonomike në vend, për çështjen e korrupsionit dhe të ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit duke shprehur rezerva për votimin e hapur të dekreteve të Presidentit të Republikës.
Në vijim deputetët morën në shqyrtim dhe miratuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes të tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve E.F.T.A. dhe të marrëveshjeve për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihteinshteinit, Republikës së Shqipërisë e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj” dhe projektligjin “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”.