E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Opozita të japë kontributin e saj për reformat e rëndësishme”



Eneida Jaçaj

Kur opozita vijon betejën e saj për transparencën e zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e ka ftuar atë të japë kontributin e saj në reformat kryesore. Ai deklaroi se maXhoranca do t'i japë opozitës të drejtën ekskluzive të propozimit të amendamenteve. Berisha theksoi se është e udhës që bashkë me opozitën të bëhen ligje dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE-së. Kryeministri kujtoi një vit pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, se procesi nuk pati asnjë provë manipulimi dhe ai ishte më transparenti në historinë e zgjedhjeve shqiptare.
Zgjedhjet
“Më 28 qershor të vitit 2009 shqiptarët zhvilluan zgjedhjet më të mira në tërë historinë e tyre kombëtare. Më 28 qershor të vitit 2009, në këtë vend, ku zgjedhjet ishin shndërruar në një problem kombëtar dhe ndërkombëtar, vend për të cilin institucionet ndërkombëtare kishin miratuar rezoluta nga më të veçantat në historinë e veprimtarisë së tyre, u deklarua se zgjedhjet plotësuan zotime kryesore të OSBE/ODIHR-it. Në zgjedhje nuk pati asnjë provë për manipulim rezultatesh apo numërim të parregullt. Këto zgjedhje ishin dëshmia më e shkëlqyer e vullnetit të hekurt të kësaj maXhorance, që qytetarët shqiptarë të votojnë në vullnetin e tyre të lirë, që vullneti i qytetarëve shqiptarë të respektohet plotësisht”, - u shpreh Berisha. Kreu i Ekzekutivit vlerësoi se ato zgjedhje ishin ndër zgjedhjet më të kushtueshmet jo vetëm në historinë e vendit, por dhe në historinë e rajonit dhe më gjerë, pasi investimet e bëra për përdorimin e teknologjisë më të lartë, për dokumentet e identitetit të qytetarëve dhe në procesin e numërimit të votave, u kushtuan shqiptarëve pothuaj 40 milionë euro. Kryeministri Berisha vlerësoi se ishin këto zgjedhje që bënë të mundur që Komisioni Europian, më 16 nëntor, t’u dorëzonte Pyetësorin me 2284 pyetje autoriteteve shqiptare dhe këto të fundit t’i dërgonin përgjigjet respektive Komisionit. Gjithashtu Berisha vlerësoi se këto ishin zgjedhjet që bënë të mundur që më datë 14 maj, Këshilli i Komisionit të BE-së t’i njoftonte shqiptarët dhe Europën se i kanë propozuar Shqipërisë heqjen e vizave për në hapësirën e BE-së.
Ftesa
Kreu i Ekzekutivit deklaroi se për të gjitha ligjet, të cilat kërkojnë 3/5 e votave, opozita do të ketë të drejtën e plotë të bëjë çdo amendament që është brenda standardeve. Sipas Berishës, maxhoranca do t’i pranojë amendamentet, qoftë për Gjykatën Administrative, qoftë për Kodin Elektoral apo për imunitetin. “Unë gjykoj se ky është interesi më i mirë i vendit, por edhe i forcave politike, pavarësisht nga kundërshtitë që janë në kufijtë e caktuar. Po në këtë parlament është konsoliduar edhe një traditë tjetër, tradita e bashkëpunimit dhe respektit reciprok, traditë e reformave të përbashkëta në interesin në të mirë të të gjitha forcave politike. Në mënyrë të veçantë ky vend ka një traditë tashmë 10-vjeçare në reformën elektorale”, - u shpreh kryeministri Berisha.

Berisha pret nënkryetarin e federatës “Vatra” në SHBA, Agim Rexhaj

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim nënkryetarin e federatës pan-shqiptare në SHBA, “Vatra”, zotin Agim Rexhaj. Rexhaj e falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe vëllazërore të gjithë anëtarëve të kësaj shoqate, si dhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, bashkë me përgëzimet e tyre për arritjet e mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës në vitet e fundit.
Kryeministri Berisha i shprehu Rexhajt mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për të gjithë kontributin e vyer, rolin thelbësor dhe të jashtëzakonshëm të federatës “Vatra”, por dhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, të cilët kanë qëndruar pranë shqiptarëve dhe zhvillimeve në Shqipëri e Kosovë me një forcë, përkushtim, sakrificë dhe patriotizëm të pashoq. Gjatë takimit, kryeministri Berisha theksoi se në arritjen e pavarësisë së Kosovës, si një nga ngjarjet më madhore për kombin shqiptar, roli dhe përkushtimi i diasporës shqiptare të SHBA-ve ka qenë shumë i rëndësishëm.
Rexhaj i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen për vizionin dhe përpjekjet e tij në të mirë të kombit shqiptar, duke u ndalur veçanërisht në Rrugën e Kombit Durrës-Morinë dhe duke nënvizuar se federata “Vatra” do të vazhdojë të jetë si në tërë këto vite, në mbështetje të plotë të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Rexhaj i bëri me dije kryeministrit Berisha se në emër të federatës “Vatra” do të dorëzonte një kontribut prej 35 000 dollarësh për zonat e Shkodrës, që përjetuan situatën e vështirë të përmbytjeve. Kryeministri Berisha e falënderoi Rexhajn për këtë kontribut dhe këtë gjest kaq fisnik, duke u përcjellë të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në SHBA përshëndetjen dhe mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre.

29 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›