Topalli ndryshon mënyrën e pagesës për deputetët
Laureta Rryçi
Secili nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do ta llogaritë me laps në dorë pagën e tij në fund të çdo muaji, pas një ndryshimi të fundit që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë vendimit "Për mënyrën e trajtimit të deputetëve". Ndryshe nga vendimi i mëparshëm, ku deputetit, për çdo mungesë pa arsye në seancat plenare i ndalohej nga paga 4000 lekë, kryetarja e Kuvendit, duke marrë shkas edhe nga mungesa e gjatë e deputetëve të opozitës në Kuvend, e ka kthyer pagën e deputetit në një përllogaritje matematikore, edhe pse sërish e lë të paqartë se deri në sa mungesa do të zbatohet formula e re.
Vendimi
Sipas vendimit më të fundit të Kuvendit, raportet e pagës mujore të deputetit janë: a) 40% të pagës për pjesëmarrjen në seancë plenare; b) 50% të pagës për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit, c) 10% të pagës për pjesëmarrje në veprimtari të tjera parlamentare. Sipas vendimit, mospjesëmarrja e deputetit në mbledhjet e komisioneve të përhershme të Kuvendit apo në seancë plenare sjell ndalesën e pjesshme të pagës sipas rasteve të mësipërme, në përputhje me frekuentimin e tij në to për një muaj. Në rastet e moszhvillimit të mbledhjes së komisionit për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët e pranishëm përjashtohen nga ndalesa e pagës për këtë mbledhje. Të njëjtat raporte të pagës, të parashikuara sa më sipër, do të zbatohen edhe për përfitimet e tjera që ka deputeti, si: dieta, shpenzime transporti, shërbime telefonike apo shpenzime për strehimin, të cilat i paguhen deputetit përpjesëtimisht me pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo në seancë plenare.
Debati
Ndryshimi për pagesën e deputetëve vjen në një kohë kur deputetët e Partisë Socialiste e akuzuan kryetaren e Kuvendit se u ka mbajtur rrogën atyre duke i dhënë vetes dhe deputeteve të maxhoranës shpërblime. Një çështje e tillë është bërë objekt i debateve të gjëra dhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët socialistë, të gjendur përpara një veprimi të përsëritur për disa muaj me radhë të ndalimit të pagës dhe dietave, kanë denoncuar në fjalimet e tyre këtë akt të drejtueses së Kuvendit si abuziv dhe kundër opozitarizmit dhe parlamentarizmit në përgjithësi. “Sulmi që i bën statusit të deputetit trajtimit ligjor, matja e orarit sikur ne të ishim sekretarët e tu, refuzimit që i bën mbështetjes me logjistikë, vjedhjet që i bën rrogës së secilit prej nesh, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit. Ti do që ne mos të funksionojmë, të mos kemi mjete të ndjekim elektoratin”, – është shprehur disa seanca më parë deputeti Arben Ahmetaj. Por, të gjitha këtyre akuzave Topalli u është përgjigjur me argumentin se administrata ka zbatuar vetëm ligjin dhe se ajo nuk mund t’u japë dieta deputetëve për ditët që kanë qenë në grevë urie.
VENDIMI I RI
Nr. 35, datë 20.05.2010
PËR NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË VENDIMIN E KUVENDIT NR. 68, DATË
20.2.2003 “PËR MËNYRËN E TRAJTIMIT TË DEPUTETËVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, të nenit 13 të Ligjit Nr. 8550, datë 18.11.1999 “Për
statusin e deputetit”, të ndryshuar, si dhe të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e sekretariateve për statusin e deputetit dhe për buxhetin,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në vendimin e Kuvendit Nr.68, datë 20.2.2003 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, të
ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa si më poshtë:
I. Në pikën 1, fjalia e dytë zëvendësohet me fjalitë e mëposhtme:
“Raportet e përbërësve të pagës mujore të deputetit janë si më poshtë:
a) 40% të pagës për pjesëmarrjen në seancë plenare;
b) 50% të pagës për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit,
c) 10% të pagës për pjesëmarrje në veprimtari të tjera parlamentare.
Mospjesëmarrja e deputetit në mbledhjet e komisioneve të përhershme të Kuvendit apo
seancë plenare passjell ndalesën e pjesshme të pagës, sipas shkronjave ‘a’ dhe ‘b’, në përputhje me frekuentimin e tij në to për një muaj. Në rastet e moszhvillimit të mbledhjes së komisionit, për
shkak të mungesës së kuorumit, deputetët e pranishëm përjashtohen nga ndalesa e pagës për këtë
mbledhje”.
II. Pas pikës IV shtohet pika V me këtë përmbajtje:
“V. Raportet e pagës, të parashikuara në pikën 1 të vendimit, zbatohen edhe për përfitimet e
tjera që ka deputeti, si: dieta, shpenzime transporti, shërbime telefonike apo shpenzime për
strehimin, të cilat i paguhen deputetit përpjesëtimisht me pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo seancë plenare”.
III. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYETARE
Jozefina Topalli (Çoba)
Si trajtoheshin deputetët deri dje
I. Paga e deputetit përcaktohet sipas Ligjit Nr. 8550, datë 18.11.1999 “Për statusin e deputetit” neni 13, pika 2. Për çdo mungesë pa arsye në seancat plenare të Kuvendit, deputetit i ndalohen nga paga 4000 lekë. Mungesë pa arsye për efekt page quhen të gjitha mungesat, përjashtuar rastet kur me miratimin e kryetarit të Kuvendit, deputeti merr pjesë në veprimtari zyrtare, brenda ose jashtë vendit. Kryetari i Kuvendit përcakton me udhëzim mënyrën e evidentimit të pjesëmarrjes së deputetëve në seancë plenare.
II. Përveç pagës bazë, deputeti shpërblehet për pjesëmarrje në mbledhje të komisionit të përhershëm ku bën pjesë. Në këtë rast, masa e shpërblimit është 2000 lekë për çdo mbledhje.
Masa e shpërblimit për kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit është 2500 lekë dhe për kryetarët e nënkomisioneve 2200 lekë për mbledhje.
Kryetari i grupit parlamentar merr 5-15 për qind mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit.
Pjesëmarrja për Komisionin e Përhershëm të Ekonomisë, Financës e Privatizimit dhe për Komisionin e Përhershëm për Çështjet Kushtetuese e Ligjore të paguhet për 12 mbledhje në muaj, kurse për komisionet e tjera për 8 mbledhje në muaj, ndërsa komisionet e posaçme do të paguhen sipas vendimit të Kuvendit për krijimin e tyre. Pagesa do të bëhet sipas listëprezencës së pjesëmarrjes të deputetëve në komision.
III. Përfitojnë dietë 12 ditë në muaj deputetët që banojnë jashtë qytetit të Tiranës; 6 ditë në muaj deputetët që banojnë në qytetin e Tiranës dhe kanë zonën jashtë këtij qyteti, si dhe 6 ditë në muaj të gjithë deputetët e tjerë.
IV. Deputetëve u paguhet për shërbime telefonike 17 000 lekë në muaj, ndërsa kryetarëve të komisioneve të përhershme dhe kryetarëve të dy grupeve parlamentare më të mëdha 20 000 lekë në muaj.
V. Kuvendi merr përsipër pajisjen me makina të deputetëve dhe për lëvizjen e tyre ata marrin vlerën në lekë të karburantit. Çmimet e karburantit përcaktohen mbi bazën e çmimeve të raporteve zyrtare të INSTAT-it dhe mund të korrigjohen në çdo tre muaj.
Sasia e karburantit llogaritet në bazë të metodikës së miratuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit mbi normat e transportit të deputetëve.
VI. Deputetët marrin vlerën në lekë për shpenzimet e shërbimeve periodike dhe mirëmbajtjen e makinave të Kuvendit, të cilat i kanë në përdorim. Shpenzimet për mirëmbajtjen e makinave llogariten në bazë të metodikës së miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm, sipas tipit të automjetit, gjendjes teknike dhe distancës së zonës elektorale. Për deputetët që përdorin makinë private, kjo pagesë do të jetë e barabartë me mesataren e shpenzimeve të llogaritura për deputetët që përdorin makinat e Kuvendit.
VII. Kuvendi mbulon shpenzimet për strehimin e deputetëve në hotelin e caktuar për këtë qëllim ose paguan kundrejt një kontrate qiraje të rregullt, shpenzimet për strehimin e tyre në apartamente banimi private, me kusht që ky shpenzim të jetë jo më shumë se 45 000 (dyzet e pesë mijë) lekë në muaj.
VIII. Pagesat e llogaritura sipas pikave III, IV dhe V u jepen cash në dorë deputetëve në datën 10 të çdo muaji. Pagesa e llogaritur sipas pikës VI jepet në të njëjtën mënyrë çdo tre muaj. Për pikën VII pagesa bëhet në datën 10 të çdo muaji, sipas kontratave të paraqitura.
Kanceri i gjirit, në fushatë sensibizuese edhe Zonja e Parë, Teuta Topi
Informimi dhe ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit është në qendër të një prej projekteve të programit “Bota e ndryshimit” të fondacionit “Vodafone Albania”. Juliana Sinanaj, vajza e cila drejton këtë projekt prej 6 muajsh në qytetin e Korçës, pati një “ambasadore” të posaçme në misionin e saj, Zonjën e Parë, Teuta Topi. Edhe pse Juliana u përfshi në një projekt të tillë pas një humbjeje personale, mesazhi që ky projekt synon të përcjellë te të gjitha gratë shqiptare është kujdesi për të shpëtuar një jetë. Zonja Topi u takua si fillim me gra dhe paciente të klinikës “Mary Potter”, për të vazhduar axhendën e saj me një takim të organizuar me 100 gra intelektuale të Korçës, si dhe 150 gra të tjera punonjëse të rrobaqepësive në Korçë. Në këto takime Zonja e Parë u prit ngrohtësisht nga personeli mjekësor, familjarë të pacientëve, aktivistë vullnetarë në mbështetje të nismës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, gra, artiste, mësuese, pedagoge etj. Diskutimet u përqendruan te rëndësia e njohjes së problematikës së kancerit të gjirit, depistimi dhe masat parandaluese. Zonja Teuta Topi i ftoi gratë e pranishme të jenë promotore të informimit dhe ndërgjegjësimit mbi problematiken e kancerit të gjirit në sferat ku ato punojnë e jetojnë. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori Ekzekutiv i fondacionit “Vodafone Albania”, Albi Greva, i cili theksoi se është shumë e rëndësishme që biznesi të jetë i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm ndaj shëndetit të shoqërisë, dhe që kjo nismë është vetëm një prej 23 projekteve që fondacioni “Vodafone” ka në plan për këtë vit. Ai konfirmoi se fondacioni “Vodafone Albania” do të vazhdojë të jetë kryesues në shembullin e përgjegjshmërisë së biznesit në mbështetje të çështjeve dhe impakteve sociale.
29 Qershor 2010