Komisioni i Ligjeve, maxhoranca miraton ligjin për faljen e të dënuarve pa konsensus
Maxhoranca ka miratuar dje në Komisionin e Ligjeve ligjin për faljen e të dënuarve pa konsensusin e opozitës. Debati për rreth 2 orë mes maxhorancës dhe opozitës është acaruar së tepërmi në nenin 10 të projektligjit, ku thuhet se Presidenti ushtron të drejtën e faljes me propozim të ministrit të Drejtësisë. Sipas opozitës, ky formulim cenon kompetencën e Presidentit dhe bie ndesh me Kushtetutën. Një argumentim që Partia Demokratike nuk e pranoi, pasi sipas saj, Kushtetuta thotë se Presidenti e ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit. "Ministri i Drejtësisë qenka dhe posta e Presidentit të Republikës, qenka dhe mendja e Presidentit të Republikës, qenka dhe stilolapsi për të hedhur firmën e Presidentit të Republikës. Kjo është e patolerueshme, është antikushtetuese. Në rast se doni ta miratoni këtë ligj me dhunën e kartonëve dhe ta shtoni katalogun e ligjeve antikushtetuese: bëjeni! Por, në këtë rast, ju e dini që ne nuk jemi dakord", - tha deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, u shpreh: "Ju e dini që eventualisht, po të shkojë çështja në Gjykatën Kushtetuese, do të mblidhni gjykatën në dhomë këshillimi dhe do të kumtoni vendimin e tyre. As njëra dhe as tjetra nuk mund të jenë të vërteta në një shtet ligjor. Dhe sa kohë që nuk janë të vërteta as njëra dhe as tjetra, deklarimi juaj, që ligji është antikushtetues, është nonsens".
Një tjetër shqetësim i socialistëve ishte dhe mundësia e abuzimit politik me amnistinë. "Në Shqipëri është dekretuar falje me 360 e ca persona. Pra, Presidenti i Republikës ka falur një person në ditë gati. Nuk dënohet në Shqipëri për vepër penale një person në ditë. T’i vëmë kufi pazarit politik apo financiar që mund të bëhet me dekretimin e faljes", - vijoi Tahiri.
Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, tha: "Që të bësh një deklaratë publike dhe të ashpër madje, nga një politikan i sferës së lartë të PS-së, që thua korrupsion politik, korrupsion financiar, për faljet përgjatë këtyre 20 viteve, kjo është, do të thosha, një mungesë morali dhe një mungesë personalizmi politik".
Tashmë, me ligjin e ri, kërkesat për amnisti do të shqyrtohen dhe verifikohen nga ministri i Drejtësisë, i cili do t’i dorëzojë listën përfundimtare për miratim Presidentit të Republikës.
29 Qershor 2010