E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita të votojë Gjykatën Administrative



Kryeministri Sali Berisha kërkon votat e opozitës për të miratuar në Parlament ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative. Kreu i Qeverisë duket se ka lënë mënjanë për momentin diskutimin për zgjidhjen e krizës politike, teksa i është rikthyer diskutimit të një ligji, i cili nuk është miratuar që nga maji i vitit të kaluar. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se maxhoranca do të pranojë të gjitha amendamentet e opozitës për ngritjen e kësaj gjykate, me kushtin e vetëm që anëtarët e kësaj të fundit të mos jenë njerëz politikë. “Ne u ofrojmë si kompromis, atë që, le të sjellin amendimet që duan për ligjin, me një kusht të vetëm: të respektojnë për këtë gjykatë, nenin që bashkërisht votuam për sistemin tërësor gjyqësor, nen sipas të cilit nuk mund të futen më në sistemin e drejtësisë flukse nga politika apo të tjerë, përveçse nga magjistratura. Unë mendoj se kjo është oferta më e sinqertë dhe në rast se pushteti nuk është i interesuar që ish-pushtetarë apo pushtetarë të tij të vendosen në krye të sistemit gjyqësor administrative etj., atëherë përse do të jetë e interesuar opozita? - u shpreh kreu i ekzekutivit. - Ftoj opozitën që të formulojë amendamentet që do, për të zgjedhur edhe procedurat më transparente të krijimit të kësaj gjykate, si dëshmi e vullnetit të saj për të ndërprerë abuzivitetin e qeveritarëve të saj, të administratës së qeveritarëve të saj, por natyrisht edhe të Qeverisë qendrore, sepse unë nuk them se Qeveria nuk lidhje me biznesin, sepse i tërë biznesi i mesëm dhe i madh administrohet nga autoritetet qendrore tatimore dhe jo lokale”, u shpreh më tej Berisha. Sipas kreut të Qeverisë, 90% e biznesit është i klasifikuar si i vogël dhe i paguan taksat pranë pushtetit vendor. Për kreun e ekzekutivit, kjo do të thotë se nëse opozita është e interesuar për qeverisje të mirë vendore, ajo duhet të votojë ngritjen e Gjykatës Administrative. Duke folur në mbledhjen e grupit demokrat, Kryeministri përsëriti ftesën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë për veprën e korrupsionit. “Kam shpresë se opozita do të shqyrtojë qëndrimin, sikundër thirrja ime është që t’i lëmë inatet mënjanë dhe të heqim imunitetet. Sot kemi një ekspertizë të shkëlqyer nga Komisioni i Venecias mbi mekanizmin e heqjes së imunitetit. Ejani ta zbatojmë atë. çdo ditë do të jetë më e vështirë për opozitën të justifikojë mbajtjen e imunitetit për qeveritarët dhe pushtetarët. Opozita është opozitë dhe e tillë është opozita shqiptare. Ajo s’mund të bëhet kurrë kërrabë e pushtetit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›