Dekretet e Topit, shkelet Rregullorja
Erald Kapri
Kuvendi shkel afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit për shtrimin e tri dekreteve të Presidentit Bamir Topi për në Gjykatën e Lartë. Dita e hënë ishte përcaktuar si nisja e seancave dëgjimore me kandidatët e përzgjedhur nga Presidenti, por seancat u shtynë për të hënën e javës tjetër. Deputetët e djathtë të Komisionit të Ligjeve shprehen se shkak i kësaj shtyrjeje është mungesa e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili ndodhet në Strasburg në sesionin e radhës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku Rusmali është kreu i delegacionit shqiptar. Një shkak tjetër sipas tyre është edhe vonesa e informacionit me shkrim, që duhej të sigurohej nga disa institucione për tri kandidaturat për në Gjykatën e Lartë. Sipas Rregullores, në nenin 111 të saj, Kuvendi ka vetëm 3 javë kohë për shqyrtimin e dekreteve. Kreu i shtetit ka dërguar në Kuvend dekretet që në datën 25 maj. Por shkelja e këtij afati në rregullore, konsiderohet nga deputetët e djathtë në Komision si pa pasoja juridike. Nga ana tjetër, jo të gjithë institucionet kanë dërguar informacionin e kërkuar nga Komisioni i Ligjeve për tre kandidatët për në Gjykatën e Lartë, Medi Bici, Vexhi Muçmataj dhe Sokol çomo. Mësohet se Prokuroria dhe KLD-ja kanë dërguar informacion me shkrim, ndërsa disa institucione të tjera ende nuk e kanë informuar Komisionin si, Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, apo Dhoma e Avokatëve. Një tjetër fakt që lidhet me këtë vonesë në shqyrtimin e dekreteve, është edhe rindryshimi i Rregullores së Kuvendit për çështjen e dekreteve të Presidentit. Maxhoranca ka kërkuar që dekretet të votohen me votim të hapur në Kuvend, jo më të mbyllur, ndërsa nga ana tjetër kërkon 8 javë kohë për shqyrtimin e dekreteve në Komisionin e Ligjeve nga 3 javë që është aktualisht. Seancën e ditës së ente është lajmëruar votimi i ndryshimit në rregullore. Pas këtij momenti, Komisioni i Ligjeve ka në dispozicion 8 javë kohë për shqyrtimin e tri kandidaturave. Komisioni ka hartuar një kalendar për shqyrtimin e tyre, ku çdo kandidat do të zhvillojë minimalisht një seancë dëgjimore me deputetët e Komisionit, ku do të pyetet gjerësisht nga ata për karrierën profesionale. Një tjetër afat që mund të shkelet është edhe pika 4 e nenit 111, i cili përcakton se “Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit”.
Opozita nga ana e saj ka kundërshtuar ashpër ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Sipas tyre, me votën e hapur maxhoranca kërkon të kontrollojë deputetët e saj, pasi i trembet rrjedhjes së votave me votim të fshehtë.