E Diel, 1 Nëntor 2026

Vila-show, Spanja fiton me Hondurasin



Spanja ka fituar ndeshjen e dytë në grup ndaj Hondurasit, falë golave të David Vilës. Ky i fundit humbi edhe një penallti në pjesën e dytë.është një Spanjë tjetër në fushë. Një ekip më “i përulur” që lufton për çdo top dhe mbrohet shumë mirë. Trajneri Del Boske ka hedhur nga minuta e parë dyshen Torres-Vila, e cila tregoi se funksionon në mënyrë perfekte. Nuk janë dashur më shumë se 17 minuta lojë, që një aksion vetjak i sulmuesit më të ri të Barcelonës, David Vila, që topi të përfundonte në rrjetë. Sulmuesi shmangu dy mbrojtës brenda zonës së Hondurasit dhe lëshoi një top në cepin më të largët të portës, aty ku portieri Mendoza e kishte të pamundur të arrinte. Që këtu nis show i spanjollëve, të cilët të çliruar edhe nga goli i avantazhit, i pari në këtë Botëror, nisën të tregonin të gjithë aftësitë e tyre. Torres, Ksavi provuan dy herë, por pa mundur që të mposhtnin portierin honduren.
Në pjesën e dytë do jetë sërish Divid Vila që do të siglojë edhe golin e dytë, duke siguruar tripikëshin e parë spanjoll. Një gjuajtje nga jashtë zone por që devijohet nga një mbrojtës bëhet e pakapshme për portierin, i cili detyrohet sërish t’i dorëzohet sulmuesit të Barçës. Vlen të theksohet se si në golin e parë dhe në të dytin, trajneri i Spanjës, Visente del Boske nuk lëvizi për asnjë çast nga stoli, duke mos treguar asnjëlloj shenje gëzimi. Në minutën e 60-të Vila pati edhe një rast të mirë për të shënuar edhe ai një tripletë, kur fitoi vetë një penallti dhe më pas shkoi edhe ta gjuajë por topi përfundoi ngjitur me shtyllën e portës së Mendozës. Gjithsesi vlen të theksohet se ndryshe nga ndeshja me Zvicrën, mbrëmë u pa një Spanjë shumë herë më konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›