E Diel, 1 Nëntor 2026

Daullja e grisur e krizës ekonomike

Fatos Çoçoli

Në histori, në mesjetë, por edhe më herët në Afrikë, njihen daullet e shiut, kambana që njoftojnë ardhjen e këtij fenomeni natyror. Opozita shqiptare i ra me plot të drejtë daulles së rrezikut të krizës ekonomike në periudhën tetor 2008-mars 2009. Kërkoi po ashtu me plot të drejtë skenarë ekonomikë nga Qeveria, për të përballuar krizën botërore që shpërtheu fillimisht si financiare, pastaj kaloi në ekonominë reale. Qeveria e djathtë nuk ia vuri veshin opozitës sonë. Në mendje dhe zemër të saj ishin zgjedhjet dhe inaugurimet e investimeve publike e shpenzimet marramendëse për t’ua fituar kësisoj votën shqiptarëve. Vendi mund të kishte hyrë në një spirale të rrezikshme krize. E shpëtoi fakti që sistemi ynë bankar ishte ende shumë konservator, plot me para të thata (likuiditete) dhe banka jonë qendrore nuk kishte lejuar për bankat tona tregtare aventura të pjesëmarrjes në investime toksike, për shembull në bankat e investimit të ngritura në Islandë (tek ne në mars 2008 erdhi edhe Kryeministri i këtij vendi nordik, për të nxitur investimet tona financiare në vendin e vet). Si dhe që për periudhën janar-maj 2010 Qeveria harxhoi plot 630 milionë euro investime publike, e kredhur e tëra në dehjen parazgjedhore. Edhe pse shpëtoi nga cunami, nga goditja e drejtpërdrejtë, pasojat e krizës së përbotshme erdhën dhe u mblodhën dhe u rënduan tek ne sidomos në tre muajt e fundit të vitit të kaluar. Aty ne njohëm fundin e greminës sonë të problemeve dhe mangësive ekonomike. Megjithatë, edhe ky fund nuk ishte krizë e mirëfilltë. Por në vend që të qëndronte sykthjellët, opozita jonë kryesore pranoi të luante rëndë dhe verbazi në fushën ekonomike. Në emër të formimit medoemos të detashmenteve të të pakënaqurve që të mbushnin rrugët e protestës. Ajo deklaroi pamundësinë e pagesës së pagave e pensioneve për dhjetorin 2009, apo të shpërblimeve të Vitit të Ri. Po të ishte e vërtetë, do të përbënte mirëfilli një krizë, me paaftësinë reale të kësaj Qeverie për të respektuar detyrimin buxhetor numër një, pagesën e punonjësve buxhetorë. Por Qeveria pagoi shpërblimet modeste të fundvitit me dy javë vonesë, ndërsa pagat dhe pensionet u dhanë rregullisht. Opozita humbi pikë, pse i ra kambanës për një zhvillim ekonomik negativ të vendit, i cili nuk ndodhi. Po të ndodhte, opozita do të ishte në të drejtën e saj të plotë të thërriste me plot bulçitë “Krizë, krizë e thellë dhe e pakthyeshme ekonomike!”. Ndërsa në këtë vit, pas dy muajve të fjetur e apatikë, janar e shkurt, erdhi ringritja ekonomike në muajin mars. Edhe pse me zigzage, edhe pse shumë poshtë planit të këtij viti (mund të jenë me 68 milionë euro më pak), të ardhurat fiskale, ato nga tatimet dhe doganat për pesë muajt janar-maj 2010 u rritën me 5.1 për qind, në krahasim me të ardhurat e të njëjtës periudhë një vit më parë. Këto të ardhura dëshmojnë për një shëndet në rritje të ekonomisë së vendit, në radhë të parë të aktivitetit të biznesit privat. Sigurisht që ekonomia ka një problem të madh me financat e saj publike, borxhin publik të vendit, i cili është rreth 5 miliardë dollarë, ose 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për më tepër me kohët që jetojmë, kur të flasësh për deficit të rritur buxhetor e për borxh të rritur publik në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, është si të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Mirëpo nga ky problem i madh, nga skenarët, masat që duhen marrë për ta ulur borxhin publik të vendit, në deklaratat se ekonomia e vendit është në agoni për shkak të këtij borxhi, qëndron në mes një det i tërë. Opozita po vijon t’i bjerë fort daulles së krizës së thellë e të pakthyeshme ekonomike, pa e parë se kjo daulle është grisur nga rëniet e forta të mëparshme, të cilat nuk kanë rezultuar reale. Gënjen veten kur mendon se me deklaratat e saj do të bëjë edhe më të pakënaqur të pakënaqurit, apo do të shtojë radhët e atyre që nesër mund të dalin në rrugë në protesta kundër Qeverisë. Qeveria dhe qeverisja ka mëkatet e gabimet e saj në menaxhimin ekonomik e financiar të vendit në këto 20 muaj që nga koha e shpërthimit të krizës botërore financiare dhe ekonomike në fund të shtatorit 2008. Por nuk as e ka rrënuar ekonominë, as varfëruar më tej shqiptarët. Një pjesë e popullsisë është varfëruar nga rënia e dërgesave të emigrantëve, por ky kurrsesi nuk mund të jetë faji i Qeverisë, përderisa këto dërgesa nuk varen drejtpërsëdrejti nga vendimet apo politikat e saj. Opozita duhet ta pozicionojë veten dhe të sjellë në vëmendje të shqiptarëve ato masa e vendime që Qeveria duhet t’i marrë për të ulur borxhin publik të vendit, pa prekur gjasat e zhvillimit ekonomik të tij. Vetëm duke bashkëpunuar me pozitën (nëse kjo nuk e dëgjon, është tërësisht humbje e saj) për këto masa, mund të rrisë profilin e saj mes zgjedhësve. Ndryshe do të vijojë t’i bjerë pa asnjë rezultat për të, daulles së grisur të krizës së rëndë ekonomike në vend. Rezultati i vetëm është dëmi që i bëhet sipërmarrjes private të vendit, e cila stepet në vendimet e saj për rritje të aktivitetit nga deklaratat për gjëmë ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›