Berisha: Opozita trillon, paratë po shpërndahen
22/12/2009 Shpërblimet për festat
Kreu i qeverisë i ka vlerësuar si trillime ordinere pretendimet e opozitës se arka e shtetit është bosh dhe se qeveria nuk do të shpërndajë as rroga dhe as shpërblimet për festat e fundvitit. Kryeministri Berisha ka deklaruar dje se po mbillet një trishtim. Sipas tij, ka nisur shpërndarja e shpërblimeve për punonjësit e administratës, duke prekur kështu rreth 8 mijë familje. Po ashtu edhe 540 mijë pensionistët do të marrin shpërblimet e premtuara. “Instituti i Sigurimeve Shoqërore disponon të gjithë faturën financiare për të disbursuar gjatë ditëve që vijnë, nëpërmjet postës dhe mënyrave të tjera, shpërblimin për 543 mijë pensionistë të vendit. Të gjitha variantet e tjera janë thjesht spekulime ordinere, sepse çfarë do tu thonë këta zotërinj 800 mijë familjeve shqiptare, të cilët çdo mëngjes u deklarojnë se nuk do të marrin shpërblimin, në një kohë kur ata po e marrin dhe do ta marrin, kjo është zgjedhja e tyre. Shqiptarët do tu thonë se jeni mashtrues dhe mashtrimi dihet, të ul besimin në maksimum”, - deklaroi kryeministri Berisha. Duke analizuar sesionin e parë kësaj legjislature, kreu i qeverisë u shpreh se veprimtaria e Parlamentit ka qenë tepër intensive. Sipas Berishës, “Parlamenti që nga themelimi i tij e deri më sot, në 100 ditë, nuk ka pasur kurrë veprimtari më intensive në aktet dhe ligjet, marrëveshjet dhe aktet normative që ka miratuar”.