Gjatë këtij viti është ulur zbulueshmëria e krimit
22/12/2009 Më shumë se 12 për qind, problematikë mbeten aksidentet rrugore
Janë zbardhur më shumë krime të vjetra, gjithsej 1552 vepra penale
DURRES- Efektivat e policisë së Durrësit kanë raportuar për një ulje të zbulueshmërisë së veprave penale nga viti 2008 krahasuar me vitin 2009. Gjatë analizës vjetore që është zhvilluar me efektivat dhe struktura të Drejtorisë së Policisë është bërë e ditur se gjatë vitit 2009 përqindja e zbulimit të veprave penale është regjistruar në masën 77 për qind nga 85 për qind që ka qenë gjatë vitit 2008. Në analizën e punës që është lexuar nga drejtori i policisë së qarkut Durrës, drejtues Aleks Hajdari, i cili vetëm para një muaji është emëruar në këtë detyrë, është bërë e ditur se në total për vitin 2009 janë evidentuar 1552 vepra penale, nga të cilat 1201 janë zbuluar (77 për qind e tyre). Në total për këto vepra janë evidentuar 1273 autorë, nga të cilët 437 janë arrestuar në flagrancë, 23 janë ndaluar, 734 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa 79 janë shpallur në kërkim. Gjatë këtij viti është bërë e ditur se janë zbuluar edhe 44 vepra penale të vjetra, nga 29 vepra të vjetra gjatë vitit 2008. Drejtuesi i policisë së qarkut Durrës Aleks Hajdari ka shtuar në raportin e analizës vjetore se gjatë këtij viti që po mbyllet janë goditur një sërë grupesh kriminale që kanë operuar në fusha të ndryshme, si krimin kundër personit, kundër pasurisë, trafiqeve, vjedhjeve, trafiqeve njerëzore etj. Në raport janë përmendur për këtë qëllim goditja e grupeve kriminale të njohur me emrat e koduar “Korçari”, “Batica”, “Pastiçieri”, “Grupi i Elbasanit”, “Servisi”, “Furnizuesi”, “Prita”, “Burgu i vjetër”, “Targë e falsifikuar”, “Credit Car”, “Çanta”, “Navigatori”, “Bregdeti”, “Agjencia”, “Kasaforta”, “SAAB 2009” etj. Efektivat e policisë së Durrësit kanë mundur që të vënë në pranga gjatë këtij viti 192 persona të shpallur në kërkim, nga 178 që janë arrestuar gjatë vitit të kaluar. Bëhet e ditur se nga totali i 192 personave të kapur, 20 prej tyre janë arrestuar për llogari të rretheve të tjera, ndërsa 11 janë ekstraduar. Në fushën e trafiqeve janë evidentuar 5 vepra penale në shfrytëzimin e prostitucionit, 11 në ushtrim prostitucioni, 32 të trafikut të mjeteve motorike, 1 në trafik femrash dhe 2 dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me 56 autorë gjithsej, nga të cilët 44 të arrestuar. Në lidhje me krimet e rënda bëhet e ditur se kanë ndodhur 10 vrasje, të zbuluara në masën 100 për qind, me 13 autorë, nga të cilët 12 janë arrestuar dhe një është shpallur në kërkim. Sektori i Policisë Rrugore ka raportuar gjithashtu rritje të ndjeshme të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen. Në total kanë ndodhur 192 aksidente rrugore, të cila kanë shkaktuar vdekjen e 54 personave, 57 të tjerë janë plagosur rëndë dhe 156 kanë rezultuar të plagosur lehtë.