E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, vërshojnë emigrantët

22/12/2009  Mbërrijnë brenda një dite 8 mijë pasagjerë. Piku pritet në prag të Krishtlindjeve
DURRES- Pesë tragete me rreth 8 000 pasagjerë kanë mbërritur dje në mëngjes në portin e Durrësit nga portet e vendit fqinj Italisë. Tragetet në fjalë ishin nisur një ditë më parë nga portet e Barit dhe Ankonës duke sjellë mijëra emigrantë që kthehen në atdhe për të festuar festat e fundvitit.
Fluksi
Autoritetet në portin e Durrësit kanë marrë të gjitha masat për përcjelljen sa më të shpejtë të tyre drejt destinacioneve, pa shkaktuar vonesa të pajustifikuara. Për këtë arsye dega e doganës së Durrësit dhe policia kufitare kanë shtuar numrin e sporteleve në sheshin e trageteve, nga tetë që janë në ditë normale, në 12 gjithsej. Kjo ka bërë që mijëra automjete dhe pasagjerë të kalojnë në kohë rekord sheshin e trageteve për t’u drejtuar më pas tek porta nr 4, pranë Urës së Dajlanit. Dita e djeshme së bashku me dy ditët e fundjavës, e shtunë dhe e diel, ka rritur ndjeshëm numrin e emigrantëve shqiptarë që kthehen në atdhe nëpërmjet portit të Durrësit. Burime të policisë kufitare në Durrës kanë bërë të ditur se në total në tre ditët e fundit numri i udhëtarëve që kanë kaluar nga porti i Durrësit ka shkuar në mbi 20 000 vetë. Fluksi i kthimit të emigrantëve pritet që të arrijë pikun gjatë datës 23 dhe 24 dhjetor, pasi pjesa më e madhe e tyre mbërrijnë në atdhe para kremtimit të festës së Krishtlindjes. Ndërkohë sipas autoriteteve portale përpunimi i udhëtarëve është bërë në kohë rekord duke shmangur vonesat dhe pritjet e gjata. Vetë pasagjerët janë shprehur të kënaqur për shërbimet në port dhe janë shprehur se nuk krahasohen me ato të viteve të shkuara. Megjithatë, jo rrallëherë emigrantëve shqiptarë u duhet të presin me orë në portet italiane për shkak të përpunimit të avashtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›