Tuneli i Kalimashit, shembjet rrisin koston
DURRËS - KUKËS/ Formacionet e paqëndrueshme kanë deformuar profilet e çelikut duke kërkuar mbërritjen e sasive më të mëdha të hekurit
KUKËS - Vijon të rritet kostoja e tunelit të Kalimashit. Në pjesën e Thirrës, në portalin jugor të tunelit kanë mbërritur sasira të mëdha të hekurit në formë shufrash të gjata që do të përdoren për betonet që do të hidhen në një pjesë të paqëndrueshme, me një gjatësi prej rreth 100 metrash në mesin e tunelit.
Kjo zonë ka rezultuar të jetë një formacion gjeologjik i butë, ndërkohë që edhe dyshemeja paraqet një formacion të butë dhe të lëvizshëm, kështu që specialistët e punëtorët në këtë gjatësi që gjendet në mesin e tunelit, janë detyruar të gërmojnë rreth pesë metër thellë, poshtë bazamentit të dyshemesë së tunelit, e cila do të mbushet me beton.
I njëjti proces do të vazhdojë edhe për faqet anësore dhe tavanin, ku tuneli në këtë gjatësi do të jetë i përforcuar me hekur e beton me një trashësi të madhe. Specialistët janë detyruar të aplikojnë një formë të tillë për shkak të formacioneve të paqëndrueshme në këtë gjatësi të tunelit, të cilat kanë arritur të deformojnë edhe profilet e çelikut në formë harku.
Dhjetëra tonelata me profile çeliku speciale të importuara nga Italia e Kroacia kanë dalë jashtë përdorimit, pasi janë shtrembëruar nga pesha e dheut që ka pësuar shembje, duke çuar kështu automatikisht në rritjen e kostos së rrugës në total. Ndërkohë nuk bëhet e ditur se si do të aplikohet për pjesën e shembur me 5 nëntor, pas pastrimit të masivit të inerteve e shkëmbinjve.
Masivi i shembur në tubin jugor të tunelit të Kalimashit do të hiqet që andej vetëm pas dy muajsh nga dita kur ka ndodhur shembja, pasi siç mësohet, ky është rekomandimi i dhënë prej gjeologëve të ardhur nga jashtë, të cilët kanë inspektuar para dy javësh tunelin e shembur për t'i dhënë më pas zgjidhjen teknike shembjes së ndodhur në tubin jugor të tunelit me 5 nëntor.
Krahas punimeve për përforcimin e strukturave, vazhdon puna për betonimin në të dy galeritë e tunelit.
Burime të kompanisë bëjnë të ditur se nga rreth 800-1000 metër që ka qenë e pabetonuar para se të mbyllej tuneli me 11 tetor, aktualisht janë betonuar më shumë se 50 % e gjatësisë së mbetur pabetonuar pas hapjes së tunelit me 25 qershor. Betonimi ka vazhduar në të dy tubat, përfshi edhe në tubin ku ka ndodhur shembja.
Në mesin e tunelit, në galerinë veriore ku është qarkulluar më parë, pikërisht në pjesën prej rreth 100 metrash me një formacion të paqëndrueshëm, kompania "Bechtel &Enka" e ka taposur në formë U-je me një sasi inertesh të nxjerra më parë nga gërmimet në tunnel.
Masës së inerteve i është hedhur beton i varfër për të bërë të qëndrueshëm strukturën e dyshemesë dhe të pareteve anësore të tunelit. Ndërkohë që vazhdon ende terri informativ lidhur me atë se çfarë po bëhet në tunelin e Kalimashit.
Çdo lloj informacioni këtu është i pamundur të merret zyrtarisht, madje as në mënyrë konfidenciale. Kompania "Bechtel&Enka" tashmë nuk ka as zëdhënës shtypi si më pare.
Bëhet e ditur gjithashtu se për shkak të fitimit të kohës dhe të dorëzimit të objektit sa më shpejt, kompania "Bechtel&Enka" kishte angazhuar një kompani nënkontraktore edhe në tunelin e Kalimashit e cila ka kryer punime, pikërisht në pjesën ku ndodhi shembja më 5 nëntor. Ndërkohë masat e sigurisë sa vijnë e bëhen më të rrepta në afërsi të tunelit të Kalimashit, si në portalin jugor, edhe në atë verior.
Rreth 1 kilometër larg hyrjes së tunelit, policia ka vendosur pengesa që nuk lejojnë asnjë lëvizje në drejtim të tij. Është dhënë urdher i prerë që asnjë person i paautorizuar (të autorizuar janë vetëm punonjësit e kompanisë) të mos lejohet të hyjë në tunel.
Polici i rendit që shërben në hyrje të tunelit të Kalimashit thotë se shumë personalitete të larta nga Shqipëria e Kosova kanë tentuar të kalojnë përmes tunelit, por janë kthyer mbrapsht, pasi nuk janë lejuar të hyjnë në tunel.
"Kemi kthyer mbrapsht zyrtarë të lartë deri ministra të qeverisë së Kosovës, por edhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë. Të vetmit që mund të qarkullojnë në tunel janë të sëmurët që udhëtojnë drejt Tiranës për mjekim të specializuar të shoqëruar me mjek dhe autoambulancë. Edhe këta persona duhet të pajisen me leje nga menaxheri i tunelit", thotë polici i shërbimit.
Ndërkaq vazhdon udhëtimi përmes të ashtuquajturit "By pass" që kalon sipër tunelit në një terren të vështirë dhe të rrezikshëm, here-herë të pamundur.
Dhjetëra automjete kanë mbetur në baltë me orë të tëra ditën dhe natën në rrugën Thirrë-Kalimash që kalon pëmes bjeshkëve të Qafë-Kumbullës, megjithatë qarkullimi ende vazhdon, përfshi këtu edhe shumë automjete nga Kosova. "Nuk kemi se çfarë t'iu bëjmë.
Kemi vendosur pengesa dhe i kanë hequr. I kemi paralajmëruar për rrezikun e kësaj rruge, por sërish ata vazhdojnë të udhetojnë, ku drejtuesit e furgonëve kanë edhe presionin e pasagjerëve për të udhetuar drejt rrugës së shkurtër", shprehet në vazhdim punonjësi i policisë që shërben në tunelin e Kalimashit.
Tuneli mund të hapet 20 dhjetor - 6 janar
"Mendohet që tuneli verior të hapet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri nga data 20 dhjetor deri me datë 6 janar, por megjithatë asgjë nuk është e sigurt pas shembjes që ndodhi në tunelin jugor mbrëmjen e 5 nëntorit", shprehet një punëtor, i cili u referohet drejtuesve tij.
Ndërkohë që në tunelin jugor ku ka ndodhur shembja, njëri prej punonjësve thotë se po vazhdohet me instalimin e pajisjeve elektromekanike, hapjen e pusetave për kullimin e ujërave. Pas shembjes kanë filluar të zbatohen me rreptësi rregullat e sigurisë si më parë.
Çdo punonjës që hyn në brendësi të tunelit pajiset me medaljonin e hekurit, ndërkohë që në hyrje të tij shënon në një bllok numrin e medalionit bashkë me emrin. Kjo procedurë ka qenë aplikuar kur në tunel vazhdonin punimet për gërmimin e tij dhe realizoheshin shpërthime me eksploziv, ndërsa pas hapjes së tunelit ky rregull nuk zbatohej me rreptësi si më parë.