“Zgjedhjet më të mira në televizor, më të këqijat në fushë-betejë”
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kandidat për Bashkinë e Tiranës tha se fitorja në kryeqytet dhe në rang vendi është e qartë dhe e thellë
Këto zgjedhje ishin më të mirat që unë mbaj mend në ekranin e televizorit dhe më të shëmtuarat që unë mbaj mend, qysh se unë jam në fushën e betejës politike, i angazhuar me proceset zgjedhore, në realitetin e njerëzve të zakonshëm. Ky ishte konstatimi që bëri dje Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kandidat i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” në Bashkinë e Tiranës. Në përfundim të procesit elektoral, Rama tha se për sa i përket shpalosjes së ambicieve në ekran dhe qasjes ndaj njerëzve në ekran, s'ka dyshim se këto ishin zgjedhjet më të mira. Por, sipas tij, pas ekranit këto kanë qenë zgjedhjet më të shëmtuara dhe më të papranueshme për liritë, të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. “Të cilët kanë qenë nën një presion të vazhdueshëm dhe të patolerueshëm”, tha Rama. Kreu i socialistëve tha fitorja në Tiranë është e qartë, mbetet vetëm për tu parë thellësia e saj dhe përtej kundërshtarëve për të thënë të kundërtën, është një film që e kemi parë tre herë të tjera dhe do ta rishohim përsëri edhe këtë herë. “Por e bukur do të jetë edhe fitorja në mbarë Shqipërinë. Ndërsa tani është ora për të folur për procesin që vazhdon. Dëshiroj të komunikoj për të gjithë njerëzit e angazhuar, nga Vermoshi në Konispol, në këtë proces zgjedhor, domosdoshmërinë që puna e bërë deri tani nën një presion të shëmtuar e të kudondodhur të vazhdojë me ngulm, vëmendje, pasion dhe durim të hekurt. Beteja vazhdon dhe është e gjatë. Populli ka folur dhe ka folur qartë”, nënvizoi Rama. Ne kemi detyrim në çdo cep të Shqipërisë, theksoi Rama, në çdo bashki e komunë të nxjerrim nga kutitë shprehjen e vullnetit të popullit sovran, pa lejuar që rrugës ajo të cenohet, apo akoma më keq, të deformohet. Në vlerësimin e Ramës është e domosdoshme që gjithsecili i angazhuar në procesin e mbylljes së fazës së parë dhe tranzicioni drejt fazës së dytë asaj të numërimit të kryejë detyrën me përpikmëri duke zbatuar ligjin, por njëkohësisht duke qenë syhapur për të mos lejuar deformimin e procesit nga ata që janë të prirur ta shkelin ligjin. Duke folur për problematikën e zgjedhjeve, Rama tha se ka pasur presione, kërcënime, përpjekje të gjithanshme për të ushtruar të gjithë trysninë e shtetit mbi shqiptarë e shqiptare që nuk ja kishin borxh as Saliut, as Ilirit dhe për më tepër tërësisë së oborrit të kusarisë, gjithë atë përshkrim të rrugës së zgjedhjeve, rrugës drejt zgjedhjeve me gjithë atë trysni në kurriz. “Zgjedhje që sigurisht do të marrin vlerësimin përfundimtar, kur të përfundojnë me vulosjen e rezultatit, por që përsa i përket procesit kanë dhënë shembuj dhe prova spektakolare të një mospërputhjeje me standardet ndërkombëtare. Ashtu siç ne i kuptojmë ato, ashtu siç ne i dëshirojmë ato, ashtu siç ne i kemi ato parasysh në fushën e betejës sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme tash 2 vjet”, vlerësoi Rama. Për të dhënë shembuj konkret, Rama kujtoi votimin e të burgosurve nëpër kryeqytet, për të dhënë një pamje të faktit se, sipas tij, jo vetëm ishte një turp për procesin zgjedhor, por edhe se nga një anë kundërshtarët ishin plotësisht të vetëdijshëm për humbjen dhe nga ana tjetër fatkeqësisht të papërgjegjshëm për të treguar atë që ju takonte, si përgjegjësit e drejtpërdrejtë të garantimit të procesit zgjedhor në aspektin e standardeve ndërkombëtare. “Dëshiroj të rinënvizoj se të gjitha këto nuk e cenojnë, por e bëjnë më të çmuar fitoren tonë. Nga ana tjetër, dëshiroj që t’i garantoj që të gjithë se, ne jemi në këmbë 24 orë në 24, në gjithë Shqipërinë, për të mbrojtur çdo votë, duke e numëruar atë ashtu siç e ka përcaktuar vullneti i çdo qytetari, çdo votë për çdo kandidat, çdo votë për çdo subjekt politik”, këmbënguli Rama.