Berisha: PD në proces ripërtëritjeje, mbështetja për opozitën po rritet

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se foltoret e Ripërtëritjes së PD-së në Vlorë dhe Elbasan dëshmuan se mbështetja për opozitën po rritet.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se procesi i ripërtëritjes së partisë është një imperativ, që po ecën dhe do ecë në emër të ripërtëritjes së Shqipërisë.
Berisha tha se këto aktivitete tregojnë rritjen e mbështetjes për opozitën dhe se “orteku i opozitës po rritet çdo ditë”.
“Zhvillimi pozitiv i kësaj jave ishin dy foltoret e Ripërtëritjes të organizuar nga PD në Vlorë dhe Elbasan me një pjesëmarrje të shkëlqyer, me një angazhim të madh të strukturave të partisë, deputetëve, me debate të hapura dhe pyetje të shumta, çka dëshmojnë se procesi i ripërtëritjes së partisë është një imperativ, i cili po ecën dhe do ecë në emër të ripërtëritjes së Shqipërisë. Ishin aktivitete vërtet të shkëlqyera, të cilat dëshmojnë se orteku i opozitës po rritet çdo ditë dhe do të përmbushë misionin e tij”, tha ai.
Berisha u ndal edhe te protestat në Tiranë. Sipas Berishës, protestat po ushtrojnë presion politik dhe moral ndaj kryeministrit Edi Rama.
/m.q/j.p/r.e/