E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PD pa program? Rama se di nga është vetë, na doli mirditor

MIRDITE - Partia Demokratike u ndal sot në Mirditë ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. 

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij premtoi më shumë rrugë, shkolla kanalizime e ujësjellësa për banorët e Mirditës. “Do bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat tuaja, për ta bërë Mirditën me infrastrukturën moderne që meriton, siç kemi ndërtuar deri më sot rrugët më moderne, shkollat më të mira, ujësjellësa, kanalizime. Do bëjmë gjithçka që nëntoka e pasur e Mirditës, ujërat dhe pasuritë e tjera të shndërrohen në mirësi, punësim e rroga për ju.

Me PD, vijoi Berisha vjen edhe ndryshimi për cdo cep të Mirditës e mbarë Shqipërisë.

“Ne me mund dhe me djersë u përballëm me krizën më të rëndë që Europa ka njohur, sot institucionet ndërkombëtare ekonomike konfirmuan se jemi ndër të paktat vende me rritje ekonomike, ndër të paktat. Rritjen ekonomike e garantojnë gratë e burrat punëtorë që e nisin punën pa gdhirë dhe e mbyllin në darkë, por qeveria i mbështet me ligje e vendime që ndjekin interesat e punësimit të tyre, respektojnë iniciativën e tyre të lirë. Do heqim çdo detyrim, për çdo emigrant mirditor e shqiptar kudo që ndodhet, i cili vjen dhe investon në Mirditë apo Shqipëri për 3 deri në 5 vite”, tha Berisha, ndërsa premtoi që në 4 vitet që vijnë do ketë në vend 6 miliardë investime të huaja, do hapen mijëra vende punë dhe numri i turistëve do shkojnë në 7 milionë.

Nga Mirdita, Berisha ironizoi deklaratat e kryesocialistit Rama sipas të cilit origjinën e katragjyshërve të tij e ka nga Mirdita. Sipas Berishës ai është një njeri që nuk e di origjinën e tij. 

“Cila është alternativa tjetër do ju jap një shembull të javës së fundit për ta kuptuar. Shkoi Rama dikur në Rrashbull, bëri një takim me qytetarët, një mirditor u ngrit dhe pyeti çdo bësh ti me ne” Do shkosh atje në mal i tha, se tokën do ta marrin ata që e kanë patur. Mirditori e pa njëherë dhe i tha unë këtu jam në shtëpinë time. Pasi e kuptoi çfarë bëri doli me origjinë nga Mirdita, shkon në Tropojë dhe ju thotë të njëjtat gjëra, një njeri që nuk di se nga është, por nuk do ta dijë se nga është. Ai është nga një fshat shumë i mirë, që unë e kam vizituar, por i duhet të thotë njëherë jam këtej, njëherë jam andej”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se, “Në autobusin e tij mavi Rama po deklaron se PD s’ka program, vëllezër e motra nëse ka njeri në Shqipëri që për shkak të padijes nuk di se çfarë është programi politik, ekonomik dhe legjislativ ky është Edi Rama. Pyeteni pak Rexhep Meidanin, që Rama i dorëzoi 5 mijë faqe program dhe Mejdani i tha shqiptarëve që s’kishte asnjë fjalë program”.

Kryeministri më tej akuzoi Ramën për bllokimin e tre ligjeve, tentativat për të bllokuar firmosjen e marrëveshjes së stabilizim-asocimit si dhe atë të liberalizimit të vizave. Sipas tij, Rama zbaton testamentin që i kanë lënë etërit e tij që e urrenin Europën.

“Rruga jonë drejt Europës ishte jo e lehtë, ne këto 236 ditë Rama përdori pushtetin e zgjedhësve, pa pyetur asnjë interes përjashtove Shqipërinë nga statusi për një vit, u mbyll mundësia që këtë vit të marrë statusin, a është ky interesi i qytetarëve të Mirditës? Ky është testamenti i etërve të tu që urrenin Europën dhe donin izolimin e Shqipërisë”, shtoi ai.

Aldo Bumçi: Rama është në errësirë, Shqipëria ka dalë në dritë
Gjatë fjalës së tij në mitingun e organizuar në qëndër të qytetit të Mirditës, ministri i Jashtëm Aldo Bumçi hodhi akuza në drejtim të kryetarit të PS-së Edi Rama, që sipas tij, punon kundër interesave të shqiptarëve. 

“Në këtë shesh, mes kaq shumë mirditorëve ne gjejmë të njëjtin entuziazëm, të njëjtën mbështetje që gjetëm në Lezhë një javë më parë. Kjo energji që buron në këtë shesh është dëshmi e shpresës dhe besimin që ju keni tek e ardhmja juaj, Partia Demokratike dhe kryeministri Berisha. Rruga e Kombit kalon në Mirditë, duke i dhënë asaj jetë, duke i dhënë vlerë pronës, duke gjeneruar vende pune. Ky është zhvillim, kjo është alternativa e PD. Dikush ishte kundër rrugës, kryetari i opozitës Rama dhe deputetët e tij bënë gjithçka kundër rrugës. Por Edi Rama nuk ishte vetëm kundër rrugës, por kundër interesit të shqiptarëve. Ai po ta kishte në dorë do ta kishte bllokuar atë rrugë, siç bllokoi integrimin në Europë. Eshtë e pabesueshme që pas rrëzimit të komunizmit, dikush, kryetari i opozitës, deputetët, e tij të pengonin interesin tonë madhor, që është integrimi i Shqipërisë në BE. Edi Rama bllokoi investimet që do të vinin në Shqipëri, fonde për shkolla, infrastrukturën. Edi Rama i tha jo. Mirdita nuk mund të pranojë një kryetar opozite që është kundër interesave të shqiptarëve. Ai thotë që NATO është natë, në errësirë është ai, Mirdita dhe Shqipëria kanë dalë në dritë.”- deklaroi Bumçi.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha në Burrel: Ju i dhatë kombit, mbretin e parë. Votoni sot me vullnetin tuaj të lirë Berisha në Kalanë e Dodës: Votoni 44, të marrim mandatin e pestë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›