E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet hetimi parlamentar për Kreshnik Spahiun, javën e ardhshme, raporti i dërgohet Parlamentit

23-02-2012 / Gazeta 55

Komisioni Hetimor për shkarkimin nga detyra e nënkryetarit të KLD-së

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga detyra e nënkryetarit të KLD-së, dje, në mbledhjen e tij të radhës deklaroi mbylljen e hetimeve. Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj bëri të ditur se brenda afatit të përcaktuar në shkresën zyrtare që komisioni i ka drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe Presidentit të Republikës si kryetar i këtij organi kushtetues, ka mbërritur pranë Protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë një set i plotë aktesh dhe dokumentesh shkresore, që kanë të bëjnë me mënyrën e menaxhimit të fondeve financiare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vitet 2009-2011.
“Janë dokumentet financiare të 2009, 2010, 2011, dhe kanë të bëjnë me dokumentin e lëvizjes së mjeteve monetare në valutë, në lekë, të lëvizjeve financiare në thesarin e shtetit, dokumentet që kanë të bëjnë me tenderët, prokurimet, në lidhje me karburantin, me blerjen e pajisjeve të telekomunikacionit, riparim automjeteve, etj.”. tha Alibeaj.
Ai tha se aktualisht me marrjen e këtij dokumentacioni komisioni është drejt përfundimit të përmbushjes të planit të hetimit.
“Komisioni ka marrë të gjithë dokumentacionin shkresor të kërkuar me qëllim verifikimin e të gjithë tematikës dhe drejtimeve të hetimit, pasi ne riçelën hetimin, jemi në kushtet për të deklaruar përfundimin e hetimeve në bazë të ligjit për komisionet hetimore”, u shpreh më tej Alibeaj.
Në këto kushte u miratua propozimi për të deklaruar mbylljen e hetimit të veprimtarisë së komisionit hetimor.
Komisioni vendosi që ditën e hënë datë 27. 02. 2012, ora 11:30, të mblidhet për të miratuar raportin përfundimtar të veprimtarisë së tij hetimore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›