E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS të japë votën për ligjin e Gjykatës së Lartë

Kryeministri Sali Berisha, i ka bërë apel opozitës që të japë votën e saj në mënyrë që të përmbyllet edhe kjo reformë me rëndësi për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në mbledhjen e komitetit Ndërministror të Integrimit, Berisha shqyrtoi ecurinë e zbatimit të planit të veprimit të miratuar më 21 mars të këtij viti.

 “Dua të theksoj se qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat duhet që me shpejtësi t’i votojë e t’i zbatojë. Ndërkohë, janë sërish ligje që kërkojnë 3/5 dhe kjo varet nga vullneti i opozitës. Por ne shpresojmë se, siç dëshmoi vullnet për reformën zgjedhore, siç dëshmoi vullnet për kufizimin  e imunitetit, opozita të dëshmojë vullnet dhe për ligjin e Gjykatës së Lartë, Ligjit të Shërbimit Civil, por edhe ligje të tjera që, pavarësisht se kërkojnë shumicë të thjeshtë, do të ishte shumë mirë që ato të kishin konsensusin e të gjitha palëve, miratimin e të gjitha palëve”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri vlerësoi se këto 6 muaj, që nga miratimi i Planit të Veprimit në datën 21 mars të vitit 2012, është bërë një punë intensive dhe janë realizuar reforma të thella e të mëdha, ndër të cilat, më kryesorja është reforma e imuniteteve, si dhe reforma zgjedhore. “Është miratuar reforma zgjedhore, në të cilën janë adresuar të gjitha sugjerimet e misioneve të ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale. Kjo reformë u miratua tërësisht me konsensus, çka përbën edhe kjo një arritje të vërtetë për bazën ligjore të zgjedhjeve të ardhshme. Opozita kishte iniciativën e të gjitha propozimeve dhe u shpreh shumë e kënaqur kur përfundoi kjo reformë, bëri vlerësim pozitiv. Unë e ndjej detyrë të qeverisë që gjithnjë t’i japë garancitë më maksimale opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi nëse ka një fushë në të cilën ajo ka interesa jetike, këto janë zgjedhjet”, shtoi ai.

Duke iu referuar vizitës zyrtare të suksesshme të Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani në Bruksel dhe takimeve të tij atje me personalitetet më të larta të BE-së, Kryeministri Berisha tha se në këto takime është diskutuar gjerësisht mbi reformat e realizuara në Shqipëri, progresin e tyre dhe perspektivën evropiane të vendit, janë parashtruar të gjitha arritjet në zbatimin e Plantit të Veprimit, sikundër edhe çështje të tjera që duhet të realizohen më tej në këtë proces.  Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat po punon që, me shpejtësi t’i votojë e t’i zbatojë. /Start/

                                                                                             2012-09-21 11:57
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›