E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti: Marrëveshje të re me Greqinë për detin

Ai tha se Tirana do të kërkojë një marrëveshje të re pasi qeveria nuk mund të shkelë një vendim kushtetues.

“Pozicioni ynë është respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të jetë në diskutim me palën greke për arritjen e një marrëveshje të re. Shqipëria ka interes për të ndërtuar një marrëveshje të re me Greqinë, jo vetëm për çështje të kufirit detar. Duhet të diskutojmë për zonat e ekskluzivitetit ekonomik dhe kjo duhet të jetë pjesë e marrëveshjeve midis dy vendeve”, tha Panariti.

Për sa i përket integrimit, kryediplomati u shpreh se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe shprehu bindjen për marrjen e statusit të vendit kandidat.  Sipas ministrit Panariti, vendi ka plotësuar atë që quhet “masë kritike” të kritereve dhe se hapat e tjerë duhet të kryhen në vazhdim.

Ai përmendi ligjin për gjykatën e lartë dhe reformën parlamentare si të nevojshme, po ashtu edhe ligjin për administratën civile. “Mendoj që Shqipëria është në rrugën e mbarë në realizimin e reformave të marrëveshjes me Komisionin Evropian dhe imuniteti është një sinjal që vepron në rrugën e duhur. Unë jam shprehur se imuniteti nuk përbën kusht në mënyrë eksplicite, por në mënyrë implicite është pjesë e detyrës, pjesë e kriterit numër 8 për luftën kundër korrupsionit”, tha Panariti.

Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti pritet të vizitojë Athinën në javën e parë të muajit tetor ku do të takohet me homologun grek, Avramopulos. Mes temave të nxehta mes dy vendeve, mbetet edhe marrëveshja e ujërave e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

  Ministri Panariti shtoi se në takime me palën greke do të diskutohen problemet të tjera të mprehta që kanë shqiptarët dhe qytetarët e dy vendeve, veçanërisht rregullimi i transportit dhe çështja e dokumenteve, përfshirë këtu kushtet e zbatimit të marrëveshjes Shengen nga Greqia si dhe intensifikimi i dialogut dypalësh. /Start/

                                                                                             2012-09-21 12:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›