E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, në tetor çelet një tjetër segment

Bëhet fjalë për segmentin nga “Komuna e Parisit” deri tek rrethrrotullimi i Saukut, segment i cili do të jetë i hapur për trafikun në fillim të muajit tetor. Përfundimi i këtij segmenti e çon në 6 numrin e kilometrave të kësaj unaze që janë përfunduar dhe që janë hapur për qarkullimin e automjeteve.

Pjesë e këtij segmenti janë edhe katër mbikalime me katër korsi, tre mbikalime për rrugët dytësore si dhe tre nënkalimet për këmbësorët të gjitha të përfunduara dhe asfaltuara. Hapja e njërit krah të këtij segmenti do t’i shërbeje të gjithë trafikut që kalon në këtë zonë, ndërkohë që punimet do të vazhdojnë për asfaltimin e krahut tjetër. Sot, në këtë segment ishte i pranishëm ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, e cili e konsideroi këtë rrugë si një nga veprat më të rëndësishme të infrastrukturës në ndërtim.

“Punohet për asfaltimin e 3.2 km të Unazës së Madhe të Tiranës, konkretisht segmenti nga Qendra “Kristal” deri në rrethrrotullimin e Saukut të cilëve i’u bashkohen  edhe 2.8 km të cilët ne i kemi hapur nga rrethrrotullimi i Saukut deri në Tirana East Gate. Ne shpresojmë qe brenda një periudhe 2 javore  do të hapim  për trafikun dy korsi për të vazhduar punimet në korsistë  e krahut tjetër për të lehtësuar në këtë mënyrë të gjithë trafikun që vjen nga zona e Tiranës së re,  rruga “Komuna e Parisit” drejt pjesës Lindore dhe rrugës së Elbasanit”, tha ministri Olldashi.

“Nga ana tjetër Drejtoria e Përgjithshme e rrugëve ka tenderuar tashmë 2.6 km  të tjera nga qendra “Kristal” deri tek shkolla Teknologjike për të bashkuar në këtë mënyrë Unazën nga Sauku deri tek rrethrrotullimi i Doganës duke bërë të mundur në këtë mënyrë një lehtësim të trafikut që sot kalon përmes kryeqytetit”, shtoi.

Ndër të tjera z. Olldashi informoi se ka përfunduar projekti i detajuar për zbatimin e një tjetër segmenti të rëndësishëm të Unazës së Madhe, atij nga Sauku në drejtim të krahut Lindor, “kombinatit të Autotraktorëve” dhe urës së Brarit ku unaza do të lidhet me rrugën e Arbrit. “Në këtë mënyrë materializohet cdo ditë e më shumë po një projekt madhor infrastrukturor në vend që e lehtësonTiranën nga shumë andralla që i ka shkaktuar deri më sot trafiku i mjeteve të rënda dhe trafiku me destinacione të ndryshme nga kryeqyteti, por që është i detyruar të transzitojë mes për mes Tiranës”, shtoi kreu i MPPTT-së. /Start/

                                                                                             2012-09-21 12:28
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›