Berisha: “Pa ligjshmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit, asnjë vendim nuk do merrej sot për Shqipërinë”
Kreu i ekzekutivit Sali Berisha vlerësoi dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat se plot një vit më parë, vendi iu përgjigj standardeve të Bashkimit Evropian, duke zhvilluar zgjedhjet më të mira në histori.
Sipas kryeministrit, ishin zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009-ë, që i hapën rrugë integrimit të Shqipërisë. Kryeministri tha se në zgjedhje nuk pati asnjë provë për manipulim rezultatesh, apo keqnumërim.
“Dëshiroj t’u përcjell qytetarëve shqiptare, përshëndetjet më vëllazërore në këtë ditë të shënuar. Më 28 qershor të vitit 2009, shqiptarët zhvilluan zgjedhjet, më të mira në tërë historinë e tyre kombëtare. Më 28 qershor të vitit 2009, në këtë vend, ku zgjedhjet ishin shndërruar në një problem kombëtar dhe ndërkombëtarë, vend për të cilin institucionet ndërkombëtare kishin miratuar rezoluta, nga më të veçantat në historinë e veprimtarisë së tyre, u deklarua se zgjedhjet plotësuan zotime kryesore të OSBE/ODIHR-it, në zgjedhje nuk pati asnjë provë për manipulim rezultatesh, apo numërim të pa rregullt. Këto zgjedhje, ishin dëshmia më e shkëlqyer e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance, që qytetarët shqiptarë të votojnë në vullnet të tyre të lirë, që vullneti i qytetarëve shqiptare të respektohet plotësisht”, tha kryeministri, duke shtuar se vlefshmëria e tyre, përmes teknologjisë më moderne i ka kushtuar vendit plot 40 milionë euro.
“Zgjedhjet ishin ndër zgjedhjet më të kushtueshme, jo vetëm në historinë e vendit, por dhe në historinë e rajonit dhe më gjerë, pasi investimet e bëra për përdorimin e teknologjisë më të lartë, për dokumentet e identiteti të qytetarëve dhe në procesin e numërimit të votave, ju kushtuan shqiptarëve në kompleks pothuaj 40 milion euro. Por, kjo ishte e domosdoshme dhe ne e realizuam atë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, sepse ne kishim qëllimin më parësor, karakterin e lirë dhe të ndershëm të zgjedhjeve dhe më dytësor rezultatin e tyre”, vuri në dukje kreu i qeverisë.
Kryeministri shtoi se pavarësisht nga zhurma zgjedhjet përmbushën standardet dhe i hapën rrugë vendimeve historike të Bashkimit Evropian.
“Në këto zgjedhje gjykoj se, pavarësish nga zhurma dhe qëndrimet, nuk pati asnjë shqiptarë të humbur. Qytetarët që e ndiejnë veten qytetar të Shqipërisë, ishin në këto zgjedhje para së gjithash dhe mbi të gjitha ato që përcaktuan vendimet ndër më të mëdhatë në historinë e këtij vendi dhe të këtij kombi, nga qershori i vitit 2009 në qershorin e vitit 2010”, tha Berisha.
Duke iu referuar proceseve të integrimit, Berisha vërejti se ishin pikërisht zgjedhjet e 28 qershorit, ato që i hapën rrugë vendit drejt vendimeve historike. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, tha kryeministri, asnjëra prej vendimeve të marrë deri më sot nuk do të merrej për Shqipërinë.
“Pa karakterin e këtyre zgjedhjeve të lirë dhe të ndershëm, pa dëshminë se nuk pati asnjë përpjekje për manipulim të rezultateve të arbitrit ndërkombëtarë, pa dëshminë e arbitrave ndërkombëtarë, nuk pati asnjë provë për numërim të pa rregullt. Unë ju garantoj ju se asnjëra nga vendimet e marra deri më sot, nuk do të merrej për Shqipërinë. Këto zgjedhje bënë të mundur që të merren vendimet më përcaktuese në procesin e integrimin të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Projektit më madhor të kombit. Ishin këto zgjedhje që pavarësisht nga zhurma, bënë që Shqipëria, të votohej unanimisht nga 27 ministrat e Bashkimit Evropian më 16 nëntor, si një vend me të cilin do të niste procesi për statusin kandidat. Ishin këto zgjedhje, që me karakterin e tyre të lirë dhe të ndershme, vlerësimin që arbitri ndërkombëtar ju beri si zgjedhje që nuk pati asnjë provë të vetme për manipulim rezultati, apo numërim të parregullt, që bënë të mundur që Komisioni Evropian me 16 nëntor të dorëzojë në Tiranë pyetësori me 2284 pyetje për vendin tonë, autoriteteve shqiptare. Ishin këto zgjedhje, të cilat bënë të mundur që ky pyetësor të dërgojë përgjigjet respektive, të dorëzojë një libër prej 3853 faqesh, më i madhi libër, ndonjëherë i të vërtetave shqiptare, botuar në këtë vend dhe të merrej nga komisioni. Ishin këto zgjedhje që bënë të mundur që me datën 14 maj Këshilli i Komisionit të BE, të njoftojë shqiptarët dhe Evropën se kanë propozuar Shqipërinë për heqjen e vizave për në hapësirën e BE. Ishin këto zgjedhje, të cilat bënë të mundur që në mesin e javës që kaloi, Parlamenti Evropian, komisioni i tij kryesor, Komisioni i Jashtëm të votojë me unanimitet të paparë mbështetjen për heqjen e vizave për Shqipërinë”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.
Gjithashtu, kryeministri Berisha gjeti rastin të ftojë opozitën që të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj në përmbushje me funksionin dhe rolin që i takon. Kryeministri tha se janë një seri ligjesh të rëndësishme që kanë të nevojshëm konsensusin mazhorancë-opozitë. Në këtë aspekt, kryeministri e vuri theksin te ndryshimet e Kodit Zgjedhor, miratimin e Gjykatës Administrative dhe ligjeve të tjera, pa harruar edhe atë “Për Imunitetin”.
“E garantoj atë se mbetem i vendosur që bashkërisht të shtrojmë në ligj dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Kur them bashkarish, nuk tërhiqem nga zotimi që opozita të ketë të drejtën ekskluzive të amendamenteve dhe kjo mazhorancë t’i votojë ato natyrisht pasi të ketë marrë një opinion nga Komisioni i Venecias ose nga OSBE/ODIHR-i. Si kundër e ftoj të japë kontributin e saj në të gjitha reformat ku kontributi i saj është i domosdoshëm. Dua edhe njëherë të qartësoj para shqiptarëve se për të gjitha ligjet, të cilat kërkojnë 3/5, opozita do të ketë te drejtën e plotë të bëjë çdo amendament, që është brenda standardeve dhe mazhoranca do t’i pranojë ata, qoftë për Gjykatën Administrative, për Kodin Elektoral, për imunitetin. Pra, ne nuk kërkojmë këtë bashkëpunim për ndonjë qëllim tjetër më madhor përveçse reformës dhe natyrisht respektit të plotë të opozitës dhe rolit të saj në parlament. Unë gjykoj, se ky është interesi më i mirë i vendit, por edhe i forcave politik dhe dua të theksoj se pavarësisht nga kundërshtitë që janë në kufijtë e caktuar, janë jo normale kur dalin jashtë kufijve të caktuar dhe marrin karakter tjetër, por pavarësisht nga këto kundërshti, të cilat kanë marrë forma nga më të ndryshme në parlamenti shqiptarë”, nënvizoi kryeministri Berisha.