“Të implementohet marrëveshja e Ohrit, jetike për stabilitetin”

Zv/kryeministri Meta takon ambasadoren e Maqedonisë në Tiranë, Krepieva
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim kortezie Ambasadoren e Republikës së Maqedonisë Blagorodna Mingova-Krepieva, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në Tiranë. Marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon si dhe procesi integrues në BE ishin temat kryesore të diskutuara gjatë këtij takimi.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, duke evidentuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe fqinjësinë së mirë mes të dy vendeve, vlerësoi rolin dhe kontributin e veçantë të Ambasadores Mingova-Krepieva në këtë drejtim. Kryediplomati shqiptar Meta, pasi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, nënvizoi se ecuria e reformave dhe fryma e zhvillimeve të brendshme në Maqedoni duhet të jetë e tillë që të mos bëhet pengesë në proceset integruese, duke evidentuar me këtë rast rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Nga ana e saj, Ambasadorja Mingova-Krepieva vlerësoi stadin aktual të bashkëpunimit ndërinstitucional mes të dy vendeve dhe, në veçanti, dialogun politik dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Meta siguroi për realizimin, së afërmi, të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni.