Ministria e Financave realizon me sukses emetimin e bonos 25 milionë euroshe
Implementimi i këtij instrumenti lidhet me strategjinë e Qeverisë për të diversifikuar burimet e financimit për nevoja të buxhetit të shtetit
Ministria e Financave ka realizuar dje me sukses emetimin e një bonoje 9-mujore të denominuar në euro. Bonoja u emetua për një vlerë prej 25 milionë eurosh dhe yield-i maksimal i pranuar ishte 6.19 për qind. Një numër i lartë bankash, si dhe individësh bënë ofertat e tyre, vlera në total e të cilave ishte (33 milion euro) shumë më e lartë se sasia e synuar nga Ministria. Nxjerrja e këtij instrumenti është në përputhje me strategjinë e huamarrjes se MF-së për të diversifikuar instrumentet dhe burimet e financimit të nevojave për shpenzime kapitale të buxhetit të shtetit për vitin 2010. Vlera ekuivalente në lekë e këtij emetimi është e parashikuar në buxhetin e këtij viti.
Ky instrument nuk kufizon likuiditetin në euro të sistemit bankar ndaj sektorit privat, sepse jo vetëm që vlera e tij përbën një fraksion të fluksit të eurove në vend gjatë muajve të fundit, por është gjithashtu pjesë e një likuiditeti që në rast se nuk tërhiqej nga qeveria, do të shkonte për t’u investuar jashtë vendit.
Nga monitorimi i kujdesshëm i tregut bankar, Ministria e Financave ka vërejtur se një sasi gjithnjë e më e madhe e likuiditetit në euro të bankave gjatë muajve të fundit, po shkon për t’u investuar nëpër tregjet europiane me instrumente afatshkurtër dhe norma interesi relativisht të ulëta, dhe është në sasi shumë më i lartë sesa nevoja e sektorit privat.
Emetimi i këtij instrumenti i shërben pozitivisht jo vetëm qeverisë, por edhe të gjithë sistemit financiar në vend.