E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votat e mazhorancës kalojnë ligjin “Për Faljen”

Komisioni Parlamentar i ligjeve miratoi sot projektligjin e shumë diskutuar nga mazhoranca dhe opozita, atë “Për Faljen”. Ligji kaloi vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita kundërshtoi nenet specifike të tij. Neni që ka shkaktuar debate midis deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës ishte Neni 7 i këtij ligji. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi, u shpreh se ky ligj i është referuar Kushtetutës italiane, i cili parashikon që kërkesa për faljen e të dënuarve të shkojë tek ministri i Drejtësisë. Ndërkohë, opozita shprehet se ky kërkesa për faljen e të dënuarve t’i shkojë presidentit të Republikës. Shumica parlamentare përmes relatorit të ligjit, deputeti Viktor Gumi, është shprehur se vlerësoi se ligji i ri sjell një trajtim të ndryshëm, korrekt dhe bashkëkohor të faljes sipas praktikës europiane. Ai theksoi se një element i rëndësishëm i këtij projektligji është edhe përcaktimi i instrumenteve kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve, duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social. Në vijim, anëtarët e komisionit, si nga opozita, ashtu edhe nga maxhoranca, diskutuan mbi përmbajtjen e projektligjit duke vlerësuar rëndësinë e tij përsa i përket përcaktimit të kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Opozita shpalosi kundërshtitë e saj për ligjin në fjalë, duke mos dhënë votat për kalimin e tij, por në këtë rast mjaftuan kartonat e mazhorancës për ta çuar ligjin “Për Faljen” në Parlament.


Ligji, bashkërendim kompetencash, lehtëson punën e Presidentit Projektligji i qeverisë “Për faljen”, përcakton kriteret e reja për të përfituar faljen e Presidentit të Republikës për të gjithë të dënuarit, është hedhur 3 javë më parë për shqyrtim në komisionin parlamentar të ligjeve. Ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë synon përcaktimin e kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Një mjet i rëndësishëm në këtë drejtim janë instrumentet kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe faljes së dënimeve penale, të cilat përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve dhe si një mundësi për integrimin e tyre social. Në projektligj parashikohet një raport i posaçëm ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe ministrit të Drejtësisë. Qëllimi kushtetues është i qartë dhe një dualitet i tillë kompetencash balancon pushtetet dhe i shërben më mirë ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesave të shtetasve nga pushteti. Për hartimin e projektligjit “Për faljen” janë marrë parasysh një pjesë e madhe e vërejtjeve të bëra nga Misioni Euralius II dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›