E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pa veprën e Azem Hajdarit, ky 100 vjetor i Pavarësisë s’do ishte njësoj

13-09-2012 / Gazeta 55

Homazhe në kujtim të Tribunit të Lirisë Azem Hajdari

Kryeministri: “Bandat e qeverisë së atëhershme kryen aktin më makabër kundër udhëheqësit të lëvizjes studentore”

Kryeministri Sali Berisha nderoi dje, ashtu si çdo vit, kujtimin e tribunit të demokracisë Azem Hajdari, i cili u ekzekutua 14 vjet më parë nga dora kriminale. Kryeministri zhvilloi homazhe pranë memorialit të tij, si dhe vendosi një tufë me lule në nderim të dëshmorëve Azem Hajdari dhe Besim Çera.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se Azem Hajdari kujtohet sot në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, përvjetor që sipas kryeministrit nuk do të ishte njësoj pa kontributin e tij. Sipas tij, në këtë 100 vjetor, tribuni legjendar Azem Hajdari kujtohet si njeriu, i cili me guximin, heroizmin dhe trimërinë e tij të jashtëzakonshme u kthye në një figurë simbol të përmbysjes së diktaturës komuniste dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri.
“Sot ne nderojmë me respekt, mirënjohje të pakufishme, së bashku me të gjithë shqiptarët, kujtimin e tribunit të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarit, udhëheqësit të lëvizjes studentore dhe Partisë Demokratike dhe të sivllaut të tij Besim Çerës që u ekzekutuan në këtë vend nga banda të qeverisë në aktin më makabër, në vrasjen e shekullit për shqiptarët. Ne nderojmë sot Azem Hajdarin në këtë 100 vjetor të pavarësisë sonë, por mendimi i parë që na vjen natyrshëm në mendje të gjithë shqiptarëve është se pa veprën  e tij , pa trimërinë  e tij, pa kurajën e tij, asnjë nga ne nuk e merr me mend se si do të ishim sot në 100 vjetorin e pavarësisë. Ishte trimëria, heroizmi, guximi i jashtëzakonshëm i këtij tribuni legjendar, që në krye të lëvizjes studentore u përball në dhjetorin e ‘90 me diktaturën më të egër që Evropa kishte njohur pas lufte, zhvilloi një betejë në limitet e legjendës në rrugët dhe sheshet  e këtij qyteti dhe  e mundi atë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se shqiptarët e lirë sot askujt nuk i detyrohen më shumë se sa Azem Hajdarit.
“Ai hapi për shqiptarët dyert e lirisë, hapi për shqiptarët dyert e dinjitetit dhe në rast se sot ne jemi të lirë, në rast se sot ne jemi njerëz me dinjitetin  e njerëzve të lirë, ia detyrojmë këtë, më shumë se çdokujt tjetër Azem Hajdarit dhe atyre studentëve që ai udhëhoqi me aq mençuri në dhjetorin e vitit ‘90. Nderojmë ne sot kujtimin e Besnik Çerës, një demokrat i thjeshtë, por vëlla në ideale, në shpirt dhe në zemër me tribunin  e lirisë Azem Hajdari, i cili ra këtu në krye të detyrës. Vepra e tribunit të lirisë bëhet gjithnjë e më madhe sa më të mëdha të jenë vlerat e lirisë për shqiptarë, sa më shumë ata ti vlerësojnë ato si pasurinë e tyre më të çmuar, aq më shumë ndrit kjo vepër e Azem Hajdarit dhe studentëve të dhjetorit. Ndaj dhe njëherë nder përjetë kujtimit të Azem Hajdarit dhe Besim Çerës, veprës së tij të ndritur, nder të madh!”, tha kreu i ekzekutivit, Sali Berisha.
Në emër të presidentit të Republikës Bujar Nishani u vendos gjithashtu një kurorë me lule pranë memorialit nga anëtarët e stafit të tij, Fatbardh Spahia dhe Princi Leka.
Në ceremoninë përkujtimore merrnin pjesë familjarë të Dëshmorit Azem Hajdari, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zoti Astrit Patozi, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe ministër i Financave, zoti Ridvan Bode, drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, si dhe shumë simpatizantë të Partisë Demokratike. Këtë vit kushdo mund të linte një shënim përkujtimor në stendën ngjitur në nderim të Azem Hajdarit dhe Besim Çerës. Azem Hajdari ishte një nga figurat më të rëndësishme të politikës pluraliste. Ai u qëllua për vdekje pranë selisë së Partisë Demokratike në 12 shtator të 1998 së bashku me truprojën e tij Besim Çera. Azem Hajdari u shqua për vetitë e tij, që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990 për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë, pas vdekjes edhe Urdhri i lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›