E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pandeli Majko rrezikon të bëhet “kurban i mbretërisë”

13-09-2012 / Gazeta 55

“Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit”, Qeveria miraton dhënien e një fondi shtesë bashkisë Vlorës, për financimin e projektit

Këshilli i Ministrave miraton dhënien e një fondi shtesë bashkisë Vlorës, për financimin e projektit “Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit”.
Duke përgëzuar kryetarin e bashkisë së Vlorës për këtë projekt, Kryeministri Berisha ftoi autoritetet vendore të kontribuojnë që, në kuadrin e festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë, të evidentojnë dhe nderojnë figurat dhe ngjarjet e shënuara të një shekulli histori.
“Në të gjitha zonat, rrethet e vendit ka personalitet të mëdha, ka kontribute të mëdha, ka përpjekje të mëdha në këto 100 vite, ndaj le t’u shprehim atyre nderimin tonë më të thellë. Unë gjykoj se autoritetet lokale kanë një rol të pazëvendësueshëm”, u shpreh Kryeministri lidhur me përgatitjet që po bëhen në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit komentoi edhe debatin mediatik të ditëve të fundit lidhur me figurën e Mbretit Zog. Berisha ironizoi se kryqëzimi i Pandeli Majkos nga kolegët e tij të opozitës e rriskon atë të bëhet “kurban i mbretërisë” për një deklaratë që është e gjitha në përputhje me vendimet e parlamentit shqiptar.
“Komisioni Qendror është marrë me disa aspekte të injoruara të historisë së vendit dhe jo për të ngjallur debate e kundërshti. Unë shoh se zoti Majko rrezikon të bëhet kurban i mbretërisë, për fajin e vetëm se bëri një deklaratë në përputhje të plotë me vendimet e parlamentit shqiptar për mbretin. Është parlamenti shqiptar, ai që ka vendosur referendumin dhe ka qenë në unison i gjithë spektri politik. Ju garantoj se nuk do kishte ndonjë deputet, të majtë, të qendrës apo të djathtë që do të votonte për t’i rikthyer të drejtën për të ardhur në pusht, një trashëgimie tradhtare. Kur ne votuam së bashku për referendumin dhe unë e dekretova atë, me një marrëveshje të të gjitha forcave politike, gjykoj se forcat politike bënë një hap shumë të madh përpara, në rivlerësimin e historisë së kombit të tyre. Po kështu rikthimi pas referendumit, i familjes, votimi i ligjit në parlament për t’i dhënë një status asaj. Tani përpiqen të gjejnë armiq vetëm e vetëm se zoti Majko pati kurajën t’i qëndrojë historisë, i çliruar nga ngarkesa enveriste e saj. Por këto janë punë të tyre, ne si Komision do të duhet të vazhdojmë të bëjmë çdo përgatitje”, u shpreh Berisha.
Ai i apeloi drejtuesve të njësive vendore t’i bashkëngjiten aktiviteteve të qeverisë për të kremtuar në lartësinë e duhur 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit.
“Ftoj edhe një herë bashkitë e komunat e vendit të bashkëngjiten në këtë periudhë, që ta festojmë këtë ngjarje, duke nderuar të gjithë ata, të cilëve u detyrohemi shumë. E vërteta është se historia jonë 100 vjeçare nuk ka qenë e thjeshtë. Ajo ka qenë shumë e vështirë, çka do të thotë se patriotët, atdhetarët, ata që ishin promotorët e saj janë përballur me vështirësi shumë të mëdha, por i kanë kapërcyer ato dhe sot, Shqipëria është e pavarur dhe feston 100 vjetorin e saj”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›