Presidenti Nishani: I angazhuar për të nxitur reformën në sistemin e drejtësisë
Kreu i Shtetit dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, apel forcave politike që të votojnë Ligjin për Gjykatën e Lartë
Presidenti Bujar Nishani kërkoi angazhim më të madh nga politika për ligjin e Gjykatës së Lartë, si një nga projektet kyçe të mbetura pezull nga politika shqiptare. I pranishëm në ambientet e Gjykatës së Lartë për të marrë pjesë në betimin e gjyqtarit më të ri të kësaj gjykate, Artan Zeneli, Nishani kërkoi forcimin e drejtësisë në gjykata me synim kthimin e besimit të qytetarëve në gjykatë.
“Gjykata e Lartë duhet të jetë tempulli i drejtësisë, deklaroi Nishani, duke shtuar se, ajo duhet të garantojë se në asnjë rast nuk duhet të ketë drejtësi të munguar”.
Kreu i Shtetit, duke shprehur angazhimin institucional për reformën në drejtësi, theksoi se “prioritet do të jetë konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, rritja e përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të tyre. Është e një rëndësie të veçantë arritja e një konsensusi mbi ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë proces dëshiroj të përgëzoj anëtarët e Gjykatës së Lartë për kontributin konkret që kanë dhënë për projektligjin aktual, për mbylljen sa më shpejt të këtij procesi. Do të jap një shtysë të re angazhimeve që kemi ndërmarrë për reformën në drejtësi. Ka qenë padyshim kënaqësia ime që një ndër ligjet e para që kam dekretuar ishte ai për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe në zbatimin e këtij ligji do t’i jap patjetër motivimi atyre gjyqtarëve që besojnë tek sistemi. Dhe, detyra jonë parësore është që të rikthejmë, forcojmë dhe konsolidojmë në radhë të parë besimin e gjyqtarëve tek vetë sistemi i tyre”, deklaroi Nishani.
Nga ana e saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, duke vlerësuar këtë ceremoni, theksoi se, “momente të tilla solemne nxisin te secili nga ne jo vetëm frymën e bashkëpunimit si trupë gjyqësore, por njëkohësisht risjellin në vëmendjen tonë se dhënia e drejtësisë është obligim përkundrejt qytetarit dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrës sonë”.
Sipas saj, plotësimi i vendeve vakante, nisur nga problematika e krijuar vitet e fundit në Gjykatën e Lartë, na bën optimistë për të vendosur objektiva dhe standarde të reja gjykimi. Becaj, duke marrë shkas nga diskutimi aktual i amendamenteve të ligjit për Gjykatën e Lartë, i bëri thirrje forcave politike të çojnë përpara këtë angazhim nëpërmjet një procesi serioz dhe gjithëpërfshirës, përtej dhe mbi çdo interes politik.