E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pallati i Drejtësisë, në Bulevardin e ri të Tiranës

TIRANE - Kryeministri Berisha deklaroi se Bashkia e Tiranës do të ndërtojë bulevardin e ri të kryeqytetit brenda mandatit të parë të kryetarit Lulzim Basha, në anë të të cilit do të ngrihet edhe Pallati i Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës kanë gjetur truallin ku do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, që vendoset në trajektoren e bulevardit të ri, të cilin Bashkia është e vendosur ta ndërtojë brenda mandatit të parë të z. Basha” u shpreh kryeministri.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, shefi i qeverisë tha se Pallati i Drejtësisë është konceptuar si një kompleks ndërtesash, për Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Tiranës dhe atë Kushtetuese.

Komiteti i planifikimit të strategjive pritet të miratojë disa projekte. Një paketë prej 83 milionë eurosh, ndihmë bujare e Komisionit Europian do të përdoret kryesisht në fusha prioritare si policia, drejtësia dhe projekte të tjera të rëndësishme të kësaj fushe, siç është Pallati i Drejtësisë. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›