Berisha: Papunësia është vetëm 10 përqind
Kryeministri rrëzon edhe statistikën e INSTAT-it duke thënë se papunësia është shumë e ulët, pasi anketat, edhe ato të realizuara nga Edi Rama, tregojnë se papunësia është 10 përqind
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar duke u treguar deputetëve të tij se Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve ka miratuar fillimin e punimeve në 520 projekte nga Konispoli deri në Dukagjin. Berisha tha se janë projektet në infrastrukturë, që do ua lehtësojnë jetën qytetarëve. Përpara deputetëve të tij, Berisha tha se infrastruktura ua bën të lehtë jetën njerëzve. Ne do bëjmë gjithçka që aty ku jetojnë qytetarët shqiptarë tu ofrojmë infrastrukturën e lagjeve të qytetit, që njerëzit të kenë ujë, drita, shkolla, internet. Nuk ka synim më ambicioz dhe më fisnik po të kemi parasysh se ai që jeton në një zonë me infrastrukturë të ndërtuar, me atë që jeton në fshatrat e Zall- Dardhës apo të zonave të tjera, kanë një dallim si nata me ditën, tha Berisha.
Ne shënojmë kështu një hap madhor drejt projektit Shqipëria, vend i zhvilluar, vijoi kryeministri.
Më pas kryeministri u mor gjatë me deklaratat e Ramës se në Shqipëri ka 1 milion të papunë. Berisha tha se Edi Rama është frymëzuar në këtë deklaratë nga Ramiz Alia.
Diktatori i fundit komunist pati deklaruar se kombi shqiptar ka 1 milion të papunë, 1 milion hajdutë dhe 1 milion spiunë, tha Berisha.
Meqë këtë deklaratë Rama e mbështet tek të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Berisha tha: Çfarë ka në këtë deklaratë? Ka thjesht një nostalgji për etërit. Sepse me kaq mashtrim të madh për një deklaratë që Banka nuk e ka bërë kurrë. Asnjë bankë, as e shtetit shqiptar, nuk merret me statistikat e papunësisë. Ajo nxirret nga zyrat e punës dhe anketat. Banka prodhon statistika monetare, tha Berisha.
Më pas kryeministri bëri një panoramë të detajuar për të punësuarit.
Shqipëria me bordero ka 560 mijë pensionistë, ka 300 mijë fëmijë nga 0-6 vjeç, 650 fëmijë në sistemin arsimor. Shqipëria ka në fshat rreth 320 mijë ferma. Pra janë në total 1.500.000 fëmijë dhe pensionistë. Rama harron se në Shqipëri dhe në mbarë botën janë me qindra dhe me mijëra ata të cilët përzgjedhin që një bashkëshort të mbajë biznesin dhe tjetri familjen, ose njëri punën dhe tjetri familjen. Në një vend të lirë, quhen të papunë ata qytetarë që regjistrohen tek zyrat e papunësisë, tha Berisha.
Madje për kryeministrin janë vetëm 10 përqind të papunë.
143 mijë të papunë janë, kjo është shifra, por një përqindje punon informalë. Anketat tregojnë, dhe ajo e bërë vetë nga zoti Rama, tek ajo ku ai del se e votojnë vetëm 43 % e socialistëve, ajo anketë thotë se papunësia është 10%, tha Berisha.