Shqipëria po e çon në pikiatë CEZ-in. Investimet e huaja, kjo plagë e Shqipërisë
Socialistët i dorëzuan çelësat e një ekonomie që po rritej me shpejtësi. Sistemi bankar ishte në zhvillim e sipër dhe disa pasuri publike ishin shitur për disa emra të huaj. Ekonomia u rrit edhe për nja tre vite dhe më pas ndaloi. Sot kreditë e këqija kanë kapërcyer 20 përqindëshin. Makina që kishte marrë Berisha nisi të frenojë dhe tani thuajse ka ndaluar.
Sot Bloomberg bën me dije se aksionet e kompanisë CEZ po bien ndjeshëm, aq sa banka e madhe zvicerane UBS e ka futur atë në listën e kompanive me aksionet më pak të preferuara. Shkaku: investimi me humbje në Shqipëri.
CEZ është i fundmi emër i madh që erdhi në këtë vend për të investuar. Por prej ditësh është në epiqendër të mediave të huaja pasi aksionet kanë rënë me 8.7 përqind. Investimi në Shqipëri rrezikon të tërheqë zvarrë të gjithë kompaninë më të madhe në Çeki dhe një nga më të mëdhatë në Europë.
Sot investimet e huaja janë një problem i madh në vendin e vogël. Komisioni Europian i kërkon në çdo progres- raport Shqipërisë që të krijojë terrenin për të thithur investime të huaja, si një mënyrë që do e shpëtojë vendin.
Ndërsa vetë Berisha lexon një raport që ia ka përgatitur Artan Hoxha e flet për miliarda dollarë investime të huaja. Që në fakt janë disa fabrika çimentoje, konkurrenca e të cilave po prodhon mesa duket edhe krim.