E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Paqja PD-PS do të vazhdojë edhe në 2009-ën

Kreu i ekzekutivit ka bërë
dje analizën vjetore të
qeverisë për vitin 2008.
Kryeministri Berisha
theksoi se hyrja e Shqipërisë në
NATO në Samitin e Bukureshtit
shënoi edhe progresin më të
madh për vitin 2008, ndërsa
"shpërthimi i Gërdecit" pjesën më
të errët të këtij viti që po lëmë pas.
Gjatë analizës, kreu i qeverisë u
mbështet edhe te rritja dyshifrore
ekonomike, dhe shpalosi edhe
angazhimet më kryesore të kabinetit
gjatë vitit 2009, në fokus qëndrojnë
zgjedhjet e përgjithshme,
anëtarësimi i plotë në NATO, dhe
kandidimi për statusin e kandidatit
për në BE.
Dreka e fundit
Kryeministri Berisha mbledh
sot në drekën e fundit për 2008-ën
kabinetin qeveritar, ndërsa dje
zhvilloi një ceremoni me pritje të
gazetarëve dhe personaliteteve të
tjera nga fusha e medias. Viti 2008
ka qenë më i qetë për 16 anëtarët e
qeverisë, ndërkohë që dinamizmi
i tyre pritet të arrihet në 2009-ën,
ku do të kërkohet edhe mandati i
dytë nga elektorati. Kryeministri
theksoi se do të pranojë verdiktin
e zgjedhjeve, pavarësisht se si do
të jetë rezultati.
Konferenca
Lidhur me reagimet e fundit të
eksponentëve të ndryshëm që
kërkojnë çmitizimin e figurës së
Skënderbeut, kreu i qeverisë reagon
duke bërë një paralelizëm
me Garibaldin e Italisë. "Mbi
Skënderbeun janë shkruar mijëra
libra dhe të përpiqesh t‘i tjetërsosh
kombit Skënderbeun është njësoj
si t‘u tjetërsosh italianëve Garibaldin",
theksoi Berisha, duke shtuar
se nuk pajtohet kurrsesi me opinionin
e atyre që shpëlajnë trurin
me një libër. "Skënderbeu pati shtet
kur të tjerët e humbën shtetin.
Ata që shprehen ndryshe kanë një
kulturë rudimentare dhe janë antiglobalistë.
Por të përpiqesh t‘i
japësh Skënderbeut drejtime te
tjera është don kishoteske", theksoi
ai. Lidhur me lirinë e shtypit,
shefi i qeverisë pohoi se "Zoti na
ruajttë nga mediat e pavarura që
preferojnë sqetullat e qeverisë. Si
mund të jesh e pavarur në sqetull
të qeverisë? Pavarësia e mediave
përcaktohet nëse flet apo jo lirshëm
kundër qeverisë". Përpos
kësaj, Berisha shtoi se "një dashuri
që s‘duhet ta pëlqeni shumë
është dashuria me shtetin, dashuria
s‘ka nevojë për fjalë". Premtimi
i radhës për janarin e 2009-ës lidhet
me ndarjen e kartave të identitetit.
"Po bëjmë çdo përpjekje që
kompania të përballojë shpërndarjen
dhe mendoj se heqja e
TVSh-së, që është vendosur sot
për kartat dhe heqja e disa tarifave
të tjera, e ka bërë atë të mundshme
për t‘u blerë nga shqiptarët. Do të
duhet të negocioj me opozitën, se
kemi të bëjmë me zgjedhje dhe
vendimet duhet të jenë të përbashkëta",
tha ai, duke treguar se
paqja PD-PS do të vazhdojë edhe
në vitin 2009. Sipas Berishës,
kushti më kryesor për liberalizimin
e vizave janë kartat e identitetit
dhe pasaportat biometrike. "Deri
tani gjithçka shkon sipas parashikimit.
Nuk bëhet fjalë për liberalizim
pa u pajisur shqiptarët me
këto dokumente", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›