Berisha: Për Kosovën shtet, njohje të reja
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjykon se në afro njëzet muaj nga shpallja e pavarësisë, Kosova ia ka dalë të dëshmojë se pavarësia ishte vendimi i duhur për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Berisha takoi dje një delegacion të Partisë Liberale të Kosovës të kryesuar nga kryetari i saj, z. Gjergj Dedaj. Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë 63 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se priten njohje të reja. Ky është një proces i pakthyeshëm dhe për këtë kanë meritë populli dhe institucionet e Kosovës. Po ashtu, z. Berisha theksoi se serbët po kthehen në Kosovë dhe kjo është një shenjë pozitive. “Çdo ditë në paqe dhe pa eksese e konsolidon pavarësinë e Kosovës”, - u shpreh Kryeministri. Z. Berisha bëri dhe një ekspoze të projekteve të qeverisë shqiptare, duke theksuar ndërtimin e të gjitha rrugëve dhe infrastrukturës që lidhen me anët e tjera të kufirit. Po dje Kryeministri Berisha takoi dhe Presidentin e Partisë Aleanca e Re per Kosovën, zotin Bexhet Pacolli. Ai e uroi Kryeministrin për rimandatimin e tij në krye të qeverisë shqiptare dhe i shprehu falenderimet në emër të partisë Aleanca e Re për Kosovën për kontributin që ka dhënë qeveria dhe Kryeministri i Shqipërisë në mbështetje të Kosoves, duke vënë theksin vecanërisht në procesin e njohjes së pavarësisë.