70-vjetori, Berisha uron Arqipeshkun Rrok Mirdita
Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje Katedralen e Shën Palit në Tiranë, nga ku uroi Arqipeshkvin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditën, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e Imzot Rrok Mirditës në ringritjen e besimit katolik në Shqipëri dhe në shërbesat e mëdha që i ka bërë kombit shqiptar dhe Zotit, në të gjithë jetën e tij. Gjithashtu z. Berisha shprehu kënaqësinë që këtë 70-vjetor, Imzot Rrok Mirdita e kremton me këto rezultate të mëdha, por edhe me një marrëveshje të shkëlqyer të bashkëpunimit me qeverinë, si dhe me një ligj të ri të miratuar në Parlament, për një qëndrim të përshtatshëm të shtetit dhe të qeverisë ndaj besimeve fetare. “Veprat e Imzot Rrok Mirditës janë të shumta, por një nga veprat e mrekullueshme është kjo katedrale, të cilën e ndërtoi me përkushtimin më të madh. Njësoj si katedralja, është e tërë infrastruktura shpirtërore e ngritur prej tij, në udhëheqje të besimit dhe Klerit katolik shqiptar”, - tha Kryeministri Berisha.