Olldashi: Studim me BB-në për riklasifikimin e rrugëve
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, deklaroi dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese se në bashkëpunim me Bankën Botërore po hartohet studimi për riklasifikimin e rrjetit rrugor. Olldashi tha se më anë të këtij studimi do të realizohet përcaktimi i rrugëve si dhe përgjegjësia për mirëmbajtjen e tyre. Ministri ndodhej në komision për të diskutuar në lidhje me projektligjin për ngritjen e Autoritetit Rrugor, i cili do të zëvendësojë Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Sipas ministrit, Autoriteti do të funksionojë sipas standardeve të BE-së dhe ka për detyrë të operojë në mënyrë të tillë në të gjitha veprimtaritë që organizon për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës si dhe të ndërmarrë studime, kërkime shkencore dhe eksperimente për eficencën, trafikun, qarkullimin dhe sigurinë rrugore. Autoriteti i ri do të ketë më shumë kompetenca dhe fonde, të cilat do t’i përdorë për mirëmbajtjen e rrugëve.