Meta-Pacolli: Autoritetet kosovare, bashkëpunim me EULEX-in
Qeveria shqiptare konfirmon angazhimin e plotë për të koordinuar hapat me institucionet e Kosovës dhe faktorë të tjerë relevantë për vazhdimin e lobingut për njohjen e shtetit kosovarë. Sipas ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se ajo i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonit tonë. Në gjykimin e Metës, autoritetet kosovare duhet të bashkëpunojmë edhe me EULEX-in. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, takoi dje z. Bexhet Pacolli, kryetar i Partisë Aleanca për Kosovën e Re, takim i cili u përqendrua në shkëmbimin e mendimeve lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe lobingun për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm shtoi rreth misionit EULEX se “në këtë drejtim, ne vlerësojmë shumë rëndësinë që ka misioni i EULEX-it dhe funksionalizimi i tij në respekt të Kushtetutës së Kosovës dhe në zbatim të Planit të Ahtisarit, sepse besojmë që përmes funksionimit të tij, EULEX do të ndihmojë edhe në përafrimin e standardeve evropiane për sa u takon institucioneve të reja të Kosovës dhe në veçanti, në drejtim të funksionimit të një shteti ligjor, sikurse janë të gjitha vendet e tjera evropiane”.