Buxheti i Bashkisë, Rama, akuza Berishës
Kreu i PS-së, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, lëshoi akuza ndaj Kryeministrit Sali Berisha, pasi sipas tij, buxhetet e pushtetit lokal po zbrazen si pasojë e ndërhyrjes së pushtetit qendror. Kreu i Bashkisë së Tiranës, përveç lëshimit të akuzave, nuk dha asnjë koment tjetër për arsyet e buxheteve bosh të njësive vendore. “Është e patolerueshme që një njeri i papërgjegjshëm, i paaftë dhe delirant i pandreqshëm të zhbëjë atë që është ndërtuar në gjithë këto vite dhe të zbrazë arkat e pushteteve vendore dhe pushtetit të vendit që të mbushë atë që nuk mund të mbushë më, buxhetin e shtetit që u zbraz si rezultat i të gjitha abuzimeve dhe shpërdorimeve të gjithanshme dhe politikave të tij shkatërruese, të cilave shqiptarët po ua dëgjojnë dhe dua t’ua dëgjojnë përditë e më shumë krismën”, - u shpreh Rama. Deklarata e Ramës u bë pas një takimi me bashkiakë të tjerë në vend.