E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Për dy vite superfuqi energjetike e rajonit, do shfrytëzojmë diellin, erën dhe ujin

Sali Berisha

Kryeministri, Sali Berisha, është i sigurt që Shqipëria brenda dy viteve do të kthehet në një superfuqi sa i takon prodhimit të energjisë në rajon. Shpeshherë në fjalimet e tij, ai është shprehur se Shqipëria është Norvegjia e vogël e Ballkanit duke marrë shkas nga numri i lartë i lumenjve. Por nga ana tjetër ai ka bërë edhe një krahasim tjetër me Zvicrën, duke nënvizuar se ndryshimi është se Shqipëria ka det.

Deklaratën se brenda dy viteve do të jemi superfuqi energjetike është bërë nga qyteti i Fierit ku Berisha mori pjesë në inaugurimin e linjës së tensionit të lartë 220 volt. Në fjalën e mbajtur me ketë rast, kreu i qeverisë tha se për energjinë në dy vitet e fundit janë investuar rreth 240 milionë euro.

Në dy vitet e ardhshme, Shqipëria do të bëhet superfuqi energjetike në rajon, do të shfrytëzojmë erën, diellin dhe ujin, tha Berisha. Kryeministri më tej ka nënvizuar se rreth 200 projekte të tjera hidrocentrale janë në pritje për tu zbatuar. Berisha u shpreh se përkundër dëshirës së kreut të opozitës, Edi Rama, Shqipëria do të ecë në rrugën drejtë zhvillimit.

Çfarë përfitojnë shqiptarët?

Pavarësisht se Shqipëria mund të kthehet në superfuqi energjetike, Shkodra përsëri do të përmbytet dhe konsumatorët e energjisë elektrike përsëri do të ankohen për çmimin e lartë. Kjo për shkak se një pjesë e mirë e prodhimi të energjisë në Shqipëri do të eksportohet pasi investimet janë mirëfilli për këtë qëllim. Një raport i Bankwatch Network tregon se Italia deri në vitin 2016 duhet të importojë nga Shqipëria, gati 2/3 e energjisë së prodhuar në vitin 2009 ose 90% të asaj të prodhuar në vitin 2008. Si përfundim shqiptarët, siç pretendojnë ambientalistët, do të vuajnë pasojat e shkaktuara nga këto investime në biodiversitet.

F.Stafa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›